“Shumë shpejt do nisim protesta të fuqishme”, Berisha me pedagogë: Universitetet janë në rrënim, në shuarje. Nuk mund të pranojmë këtë rrokullisje të madhe

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se së shpejti do të fillojnë protesta të fuqishme.

Në një takim të organizuar nga Departamenti i Arsimit në PD me pedagogë e intelektualë, Berisha tha se universitetet janë në rrënim, në shuarje dhe se nuk mund të pranojmë këtë rrokullisje të madhe.

“Universitetet janë në rrënim, në shuarje. Po i bëni një shërbim të madh kombit, shoqërisë. Dy herë më shumë duhet të protestojnë bluzat e bardha. Isha në Gramsh, një mjeke më dukej misionare, heroinë, kujdesem për 3 njësi tha, secila ka 7-8 mijë banorë. I ftoj mjekët, i ftoj infermierët, të përmbushin detyrimin e tyre për të shpëtuar sistemin. Në një provë që pati zuri vendin e katërt më të keq në botë, në provën e pandemisë, sepse i tillë qe organizimi që u bë. Por edhe jashtë pandemisë, Tirana është katandisur në 10 qytetet me sistemin shëndetësor më të papërshtatshëm sepse ka një diskonsideratë totale për mjekët, pedagogët, studentët. Ka një preferencë absolute për trafikantët, për të inkriminuarit. Me përparësi absolute trafikantët, të cilët zbatojnë çdo kërkesë të tij në narkoeuro, apo faktorë të tjerë. Kjo protestë e juaja është e një rëndësie shumë të madhe. Shumë shpejt do të fillojmë protesta të fuqishme, në mbështetje të universiteteve, të të gjithëve, nuk mund të pranojmë këtë rrokullisje të madhe”, tha Berisha.

Ai deklaroi se qeveria nuk mundet të ketë më buxhet nën 5% të GDP-së për arsimin dhe se ligji për arsimin, ndër të parët që do anulohet.

“Shkon në Përmet dhe thotë se rikualifikimi ka sjellë parajsën, është një nga faktorët përcaktues në përgjysmimin e bizneseve të vogla. Nuk është tregu është antitregu. Shkoni në sheshin Skënderbej, gjeni një shesh si në Phenian, pa asnjë element tregu. Shpërdorim i tmerrshëm me rrasa guri. Mbi 2 mld dhe goditi tregun. Në vend se sheshet dhe gjithçka t’ia përshtaste tregut, siç ishte në Korçë, në Berat, ky u kthye në konceptin atëror të shesheve, ku sheshi ka hapësira për parada, për sytë e tij, viktima janë bizneset.
Me ju do e bëjmë programin.
Qeveria nuk mundet të ketë më buxhet nën 5% të GDP-së për arsimin. Ligji për arsimin, ndër të parët që do anulohet. Nuk mund të ketë konfiskim të lirisë akademike. Do të bëjmë gjithçka për të tërhequr, për të rikthyer, ose për të vendosur bashkëpunim me të gjitha ekselencat shqiptare kudo që janë sot. Mendja, dija do jetë vis vitalis, forca jetësore e transformimit të Shqipërisë. Këtë grevë që keni nisur do ju japim gjithë mbështetjen që meritoni për suksesin e saj”, tha Berisha.