Në qershor të këtij viti Shqipëria shënon 79-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj 27 qershori është caktuar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë vazhdon ende të mbetet një plagë e hapur, ndërkohë masakrat rrëfehen nga ata që i kanë përjetuar dhe që u detyruan të largohen nga vendlindja e tyre, për të shpëtuar nga gjenocidi, por janë dokumentuar edhe nga studiues.
– 92-vjeçari Avdul Sulejmani rrëfen mbi gjenocidin në Çamëri
Në mesin e atyre shqiptarëve të Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin dhe që është detyruar të largohet me familjen nga vendlindja e tij është edhe 92-vjeçari Avdul Sulejmani, i cili ka lindur në Igumenicë, ndërsa që nga viti 1945 ai jeton në qytetin e Durrësit.
Për Anadolu, Sulejmani i cili i cili ka punuar mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe për 35 vjet, tregon se kur filluan masakrat në qershor të vitit 1944 ai së bashku me familjen e tij ishte në fshat dhe pasi filluan masakrat ai së bashku me gjyshen, tre vëllezërit dhe motrën e tij, kaluan fillimisht në Konispol të Shqipërisë, duke lënë pas përfundimisht vendlindjen e tij.

“Ne ishim në fshat, ishte viti 1944, ishte qershor dhe thanë erdhi greku dhe zuri Paramithinë. Biles grekët (zervistët) ranë dakord me komandën gjermane dhe i la komanda gjermane, ra dakord me myftiun e Filatit. Të rrinë mos të ikin thanë, jemi vëllezër, kemi kaluar mirë. Kështu që nuk iku njeri, hëngrën dhe pinë gjithë natën. Të nesërmen, grekët, ata zervistët mblodhën burrat dhe filluan masakrat, i therën, vranë, bënë masakra që as gjermanët nuk i kanë bërë tek kampet”, shprehet Sulejmani.
Sulejmani tregon se çamët ikën nga vendlindja pasi filluan masakrat. “Hynin zervistët dhe bënin vrasje në masë. Nga Paramithia dogjën të gjallë, një gruaje tjetër i çanë barkun dhe i nxorën fëmijën. Shihnin gra me fëmijë në dorë, i hiqnin kokën fëmijës. Vrisnin njerëzit dhe i bënin copa-copa dhe i varnin në çengela. E tmerrshme”, tregon ai mes lotësh masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Pasi ka tentuar disa herë nga kufiri Shqipëri-Greqi dhe nuk është lejuar nga autoritetet greke, Sulejmani ka arritur të shkojë në vitin 2015 në Çamëri vetëm një herë nëpërmjet Italisë, me rrugë detare. “Shkova në shtëpi dhe ishte e mbyllur shtëpia, nuk kishte njeri atje. Më rrihte zemra fort nga gëzimi”, tregon ai.
Suljemani flet edhe për mbështetjen ndërkombëtare për çështjen çame, përfshirë edhe të Türkiye-s, duke shtuar se Türkiye-s është mike e shqiptarëve. “Përfitoj nga rasti të uroj Erdoğanin, mikun e madh, që u rizgjodh president. Ne kemi nevojë për mbështetje ndërkombëtare, sidomos të Türkiye-s. Türkiye është mike e jonë e madhe”, shprehet Suljemani.
– “Sikur qiellin ta bësh letër dhe detin bojë nuk do të mjaftonte për të shkruar mynxyrat që kanë parë çamët nga gjenocidi grek”
Gjenocidi është dokumentuar edhe nga studiues dhe njohës të çështjes çame, ku mes tyre është edhe Hyqmet Zane, i cili ka arritur të dokumentojë rrëfime dhe intervista të shumë shqiptarëve të Çamërisë dhe Kosovës që kanë përjetuar gjenocidin, duke i përmbledhur në një libër.

Zane, i cili është me origjinë nga Çamëria, ka botuar disa libra mbi Çamërinë dhe gjenocidin, përfshirë edhe me rrëfimet e të mbijetuarve nga gjenocidi në Çamëri. Ndërkohë për Anadolu tregon se i përket njërit prej fiseve që kanë formuar Filatin dhe rrëfen se mes shumë dramash, drama më e madhe ishte ikja nga Çamëria e prindërve të tij.
Ai tregon se nëna e tij e ndjerë i ka rrëfyer shumë për masakrat, ndërsa shton se babain e tij ia internuan në Gjermani, sipas tij, në shenjë hakmarrjeje ndaj familjes që ishte antifashiste.
“Nëna ime më rrëfente shumë, më rrëfente ato ngjarje të hidhura se si një gruaje çame që kishte marrë guçi fëmijën e vogël dhe kërkonte ujë, duke ecur me vrap që t’i shpëtonte masakrës, greku shkon nga mbrapa dhe i pret kokën me shpatë fëmijës. Gruaja nuk e mori vesh, duke ikur me nxitim të madh. Kur ndalon ajo që të pushojë pak shikon fëmijën me kokë të prerë, i ikën mendja. Një gruaje tjetër thoshte nëna, e kam takuar këtë grua thoshte, iku e çmendur sepse djalin ia morën dhe ia sakatuan dhe ajo mundi të marrë vetëm skalpin e kokës së djalit dhe e futi në gji”, tregon ai, duke shtuar se një grua tjetër çame nga lodhja e hodhi fëmijën në det, duke e ngatërruar me sendet e saj.
Ai tregon se prindërit e tij nuk u kthyen më në vendlindje, pas paralajmërimeve se gjithë myslimanet janë vrarë dhe se do pësonin të njëjtin fat, duke u vendosur përfundimisht në Shqipëri ne vitin 1945 dhe duke mbetur përgjithmonë me mallin dhe brengën për vendlindjen e tyre.
I emocionuar, Zane shprehet se “Sikur qiellin ta bësh letër dhe detin bojë nuk do të mjaftonte për të shkruar mynxyrat që kanë parë çamët nga gjenocidi grek, nga shovinizmi shtetëror grek”.
“Për këtë gjenocid kërkohet një ndëshkim. Ndëshkim ose drejtësi. Të vendoset drejtësia, sepse ka 79 vjet që sorollatemi në përditshmërinë tonë dhe kancelaria evropiane nuk ka bërë asgjë. Do doja që ata që flasin për drejtësi, ata që kërkojnë drejtësi, ata që kanë dënuar gjenocidin gjerman, të dënonin dhe gjenocidin grek mbi Çamërinë, mbi shqiptarët e Çamërisë”, thekson Zane.
– Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.