Shqipëria “noton” në euro, rriten ndjeshëm depozitat në valutë në tetor

Euro po kthehet gjithnjë e më shumë në monedhën e preferuar të shqiptarëve për të kursyer. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor, stoku i depozitave totale në vend arriti në një rekord të ri prej 1.28 trilionë lekësh (gati 11 miliardë euro). Në krahasim me muajin e mëparshëm, depozitat në sistemin bankar u shtuan me 16.5 miliardë lekë, ose 1.31% më shumë.

Ky zgjerim është shumë më i lartë se shtesa mujore e konstatuar vitet e fundit, me përjashtim të periudhave sezonale si gusht apo dhjetor-janar, kur gjithnjë ka një rritje të kursimeve në banka si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve.

Rreth 81% e rritjes mujore në tetor ka ardhur nga valuta. Kursimet në valutë në banka në fund të muajit tetor arritën në 736 miliardë lekë (6.3 miliardë euro), me një zgjerim prej gati 2% në krahasim me muajin e mëparshëm. Rritja mund të jetë dhe më e lartë për shkak se Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat në lekë, teksa monedha e përbashkët është zhvlerësuar këtë vit ndjeshëm ndaj lekut. Zgjerimi i depozitave në euro ka ardhur si nga individët ashtu dhe nga korporatat e tjera jo financiare.

Ndonëse normat e interesit bazë janë rritur, duke arritur në 2.75% pas ndryshimit të kahut të politikës monetare të bankës së Shqipërisë, duke tërhequr dhe interesat e depozitave në lekë, kursimet në monedhën vendase nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në lekë ishte 545 miliardë lekë në fund të tetorit, me një rritje prej 0.5% me bazë mujore. Por e gjithë shtesa ka ardhur nga korporatat jo financiare, ndërsa depozitat e individëve kanë shënuar tendencë ulëse për të dytin muaj radhazi.

Kjo mund të shpjegohet me dy arsye: Së pari, interesat e bonove të thesarit janë rritur me ritme shumë të shpejta, duke iu afruar 6%, çka ka bërë që individët të jenë më të interesuar për të investuar kursimet e tyre në bono. Së dyti, rritja e fortë e çmimeve, me inflacionin që e ka kaluar 8% ka ulur aftësinë e familjeve dhe individëve për të kursyer.

Si rrjedhojë e rritjes më të shpejtë të depozitave në euro në raport me ato në lekë, është rritur pesha e kursimeve në valutë, që arriti në një rekord të ri prej 57.45% në tetor 2022, nga 55.46, që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Me bazë vjetore (tetor 2022/tetor 2021), kursimet totale u rritën me 7.3%. Një vit më parë, ndryshimi ishte 10.36%, duke treguar për një ngadalësim të ritmit të zgjerimit të kursimeve këtë vit.