Shqipëri, panair me punime artizanale

Në panair marrin pjesë me punimet e tyre artizanë shqiptarë, të cilët për tre ditë me radhë do të ekspozojnë produktet e tyre të punuara me dorë

Në ambientet e Kalasë së Tiranës është organizuar panairi me punime artizanale, i cili do të qëndrojë i hapur disa ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panair marrin pjesë me punimet e tyre mbi 10 artizanë shqiptarë, të cilët për tre ditë me radhë do të ekspozojnë produktet e tyre të punuara me dorë. Punimet janë kryesisht qilima, bizhuteri me gurë natyralë, vegla muzikore frymore, piktura si dhe punime nga nënat me fëmijë spektrit autik.

Në një prononcim për AA, artizania Anila Hoxha tha se ka 10 vite që merret me punime artizanale dhe se në këtë panair sipas saj risi janë punimet e dorës të punuara me qëndisje.

“Unë marr pjesë në këtë panair me bizhuteri artizanale të cilat janë punuar me gurë natyralë me dorë. Në këtë panair risi janë edhe punimet e dorës të punuara me qëndisje. Kam 10 vjet që e ushtroj këtë zanat. Kam marrë pjesë në panaire të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ku dhe kemi marrë dhe çmime mirënjohjeje në evente të ndryshme. Punimet që unë kam ekspozuar janë të traditave jugore”, tha Hoxha.

Sipas saj, punimet artizanale kryesisht janë më të kërkuara nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Valmira Doçi, e cila mbështet nënat e fëmijëve të spektrit autik merr pjesë në panair me stendën e punimeve me dorë të realizuara nga nënat e fëmijëve me autizëm.

“Në këtë panair ne marrim pjesë me punime artizanale të punuara nga nënat me fëmijë të spektrit autik. Disa prej këtyre punimeve janë të punuara edhe nga fëmijët autikë. Produktet e ekspozuara janë shumë të preferuara nga vizitorët e panairit, sidomos kur ata mësojnë se ato produkte janë punuar nga nënat e fëmijët të spektrit autik”, theksoi Doçi.

Sipas saj, të ardhurat nga shitjet në panair shkojnë për punën që bëjnë nënat e fëmijëve me autizëm.

“Ne duam që t’i mbështesim ato edhe në përditshmërinë e tyre, pasi për shkak të kujdesit të tyre për fëmijët ato nuk kanë mundësi të punojnë. Kjo është një mënyrë mjaft e mirë për të sjellë të ardhura në familjen e tyre dhe një pjesë tjetër e të ardhurave shkon për të mbështetur këta fëmijë me terapi të ndryshme”, tha Doçi.

Ndërsa një artizan tjetër që merr pjesë në këtë panair është edhe Pal Dedgjonaj nga Lezha, i cili ka ekspozuar punimet me vegla frymore.

“Kam 60 vjet që ushtroj profesionin e prodhimit të veglave frymore. Është për të ardhur keq që folklorin e kanë lënë pas dore dhe që profesioni i artizanit po humbet dita ditës dhe të rinjtë nuk kanë interes. Unë profesionin ia kam mësuar nipit, në mënyrë që ta trashëgojë dhe të mos humbasë. Unë kam marrë pjesë në disa festivale dhe panaire artizanale si në Norvegji, Gjermani, Francë, Holandë dhe Itali etj. Veglat frymore të punuara me dorë preferohen shumë në vende të ndryshme të botës”, tha Dedgjonaj për AA.

Punimet artizanale në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë ekspozuar në panaire dhe aktivitete të tjera të ndryshme.