Shqipëri, mbahet ceremonia për pelegrinazhin në Malin e Tomorit

Pelegrinazhi në Malin e Tomorit që bashkon mijëra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera do të vazhdojë disa ditë

Në Malin e Tomorit në Qarkun e Beratit është mbajtur ceremonia tradicionale zyrtare për pelegrinazhin e përvitshëm që mbledh së bashku mijëra besimtare bektashi nga vende të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoni ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetari i partisë opozitare turke, Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të kryegjyshit botëror të bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili tha se “Shpreh kënaqësinë për këtë pjesëmarrje masive në këtë ditë të shënuar. Ky pelegrinazh i sotëm që vjen pak ditë pasi ne kremtuan ditën e bekuar të Kurban Bajramit dhe mesazhi që përcjell është një vlerë tjetër paqeje dhe angazhimi për të gjithë për më të mira në të ardhmen.”

Presidenti Meta, gjatë fjalës përshëndetëse tha se ashtu si çdo vit janë mbledhur së bashku në malin e shenjtë të Tomorit.

“Mblidhemi çdo vit këtu në malin e shenjtë të Tomorit për të nderuar të gjitha ato legjenda, personalitete, figura dhe baballarë të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe çështjen tonë kombëtare, të gjithë ata që bënë gjithçka për gjuhën shqipe, për të nxitur gjithmonë të gjitha lëvizjet për bashkim kombëtar”, theksoi Meta.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili theksoi se ndihet i lumtur që është i pranishëm në këtë eveniment.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që mu dha rasti të jem në këtë ceremoni zyrtare të pelegrinazhit të madh botëror me rastin e festës tradicionale të malit të shenjtë të Tomorit. Kam kënaqësinë që sot e ndaj me ju këtë ditë. Kemi përgjegjësi të kontribuojmë në krijimin e një opinioni publik i cili do të jetë i pranueshëm për secilin, ambient i cili do të mundësojë paqe shpirtërore dhe respekt të ndërsjellë”, tha Xhaferi

Kryetari i partisë opozitare turke, Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, u shpreh gjatë fjalës në ceremoni se është i gëzuar që merr pjesë në këtë pelegrinazh të madh të Tomorit.

“Para disa ditësh kemi kujtuar Haxhi Bektashin në Turqi dhe sot kujtojmë Abaz Aliun. Unë jam përpara jush duke besuar se gjithmonë luftërat dhe mosbesimet dhe në të njëjtën kohë jotolerenca të mos jenë pikëpamja e parë e njerëzve. Këtu sot është hapur një lule e cila hap dashuri, mirësi, paqe, siç ka qenë në kohën e Haxhi Bektashit. Unë jam i bindur dhe besoj shumë se që nga Anadolli deri në Ballkan, të gjithë besimtarët e Haxhi Bektashit, do të jenë të barabartë dhe bashkuar me njëri-tjetrin”, tha Kılıçdaroğlu.

Pelegrinazhi në Malin e Tomorit që bashkon mijëra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera do të vazhdojë disa ditë. Festa që njihet edhe si festa e Abaz Aliut në malin e Tomorit shoqërohet me therjen kurbaneve, që i sjellin besimtarët në Malin e Tomorit.