Shqipëri, hapet Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Energjisë

Në Shqipëri është hapur edicioni i 5-të i Panairit dhe Forumit Ndërkombëtar të Energjisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme, përfaqësuesve të shoqatave të biznesit dhe ekspertëve të fushës, raporton Anadolu.

Panairi dhe forumi disa ditor me temë “Mundësi në vorbullën e krizës” synon të trajtojë situatën aktuale të sektorit të energjisë, ku marrin pjesë kompani, institucione dhe organizata të ndryshme nga Shqipëria dhe vendet e rajonit.

Gjatë tre ditëve të panairit do të mbahen edhe forume diskutimi ku do të trajtohen tema të ndryshme në lidhje me sektorin e energjisë.

Në ditën e parë të eventit, si pjesë e forumit u trajtuan temat në lidhje me sigurinë e furnizimit me energji dhe diversifikimi i burimeve të rinovueshme në Shqipëri, investimet e huaja, projektet dhe perspektivat e energjisë së rinovueshme dhe mbështetje financiare në sektorin e energjisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe ekspertëve.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Ilir Bejta, gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes tha se Qeveria e Shqipërisë është e angazhuar të mbështesë iniciativa të tilla.

“Ne kemi një ligj që mbron sektorët strategjikë. Energjia është e mbrojtur nga ligji për sektorët strategjikë. Kushdo që investon në këtë sektor e ka të garantuar këtë mbrojtje”, tha Bejta.

Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, Eduard Shalsi, tha në fjalën e tij se energjia është një nga kolonat që kjo maxhorancë dhe kjo qeveri ka përcaktuar për zhvillimin e vendit.

Panairi dhe forumi që mbahet në datat 29-31 mars në ambientet e një qendre për ekspozita dhe panaire në Qarkun e Tiranës, organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe institucioneve dhe organizatave të tjera.

Panairi dhe forumi ka në fokus politikat mbi energjinë dhe aspektet ligjore në Shqipëri dhe rajon, sfidat e bashkëpunimit rajonal, skemat mbështetëse që ofrohen nga qeveritë për promovimin e investimeve në këtë fushë, teknologjinë, trajtimin e hidrokarbureve, si dhe investimet e huaja.