Shpejtësia dhe këmbësorët, 130 aksidente me 24 viktima në Janar, rritje krahasuar me 2020

Rritje në numër kanë pasur edhe qytetarët që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve të rënda, 8 më shumë se janarin e 2020-ës.

Muaji janar u mbyll me një numër të lartë aksidentesh, që shkaktuan 24 viktima në të gjithë vendin. Statistikat tregojnë se numri i ngjarjeve rrugore për muajin që lamë pas është 130. Krahasuar me janarin e 2020-ës, numri është në rritje. U shënuan 37 aksidente më shumë.

Si pasojë e këtyre ngjarjeve, u plagosën 159 persona. 53 më shumë duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje në numër kanë pasur edhe qytetarët që kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve të rënda, 8 më shumë se janarin e 2020-ës.

Sipas policisë, të lënduar në këto aksidente kanë qenë më së shumti këmbësorët. Ata janë përplasur në viza të bardha e në trotuare. Ndërsa në zonat veriore, shkak të aksidenteve kanë qenë shpejtësia tej normave të lejuara, si dhe kushtet e vështira atmosferike. Një pjesë e shoferëve nuk kanë marrë masat e nevojshme për makinat e tyre.

JANAR 2020
– 93 aksidente
– 16 viktima
– 106 të plagosur

JANAR 2021
– 130 aksidente
– 24 viktima
– 159 të plagosur /abcnews.al