Çmimi Nobel i vitit 2023 në kimi i është dhënë një treshe shkencëtarësh që punuan për të zbuluar dhe zhvilluar grimcat kuantike, të përdorura në dritat LED dhe ekranet televizive, si dhe në kirurgjinë për heqjen e indeve të kancerit.
Çmimi u fitua nga Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov dhe u shpall nga komiteti i Nobel për kiminë këtë të mërkurë në Stokholm.
“Për një kohë të gjatë, askush nuk mendonte se ju mund të krijoni ndonjëherë grimca kaq të vogla. Por laureatët e këtij viti ia dolën”, tha Johan Aqvist, kryetar i komitetit.
Komiteti publikoi pa dashje emrat e tre shkencëtarëve disa orë përpara shpalljes zyrtare.
Gazeta suedeze Aftonbladet publikoi një kopje të një emaili që thoshte se ishte nga akademia, raportoi Reuters.
Aqvist i tha Reuters: “Është një gabim i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave. Takimi ynë fillon në 09:30 kështu që ende nuk është marrë asnjë vendim.”
Bawendi, profesor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets dhe Brus, profesor emeritus në Universitetin e Kolumbisë, janë amerikanë. Sakaq Ekimov është rus dhe punon për Nanocrystals Technology Inc.