Shërbime celulare me kontratë trendi i ri i operatorëve zbulon raporti i AKEP

Gjatë 2019-ës u vu re një trend i ri mes operatorëve të cilët po i shtyjnë abonentët e tyre me parapagesë drejt shërbimeve me kontratë.

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM arriti në 3.5 milionë në tre mujorin e dytë të 2019-ës, një rritje e lehtë me 0.2% krahasuar me tre mujorin e dytë të 2019-ës por rënie prej 24.3% krahasuar për të njëjtën periudhë një vit më parë thotë raporti i AKEP.

Përdoruesit aktivë të telefonisë celulare ishin 2.5 milionë në tre mujorin e tretë të 2019-ës, një rritje me 5.1% krahasuar me periudhën e dytë të vitit por rënie me 5.4% krahasuar me 2018.

Vodafone Albania vijon të ngelet lider i tregut duke shënuar rritje të pajtimtarëve sipas kartave SIM dhe përdoruesve aktivë me 5.4% dhe 4.2% respektivisht. Kompania ka 1.799 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1.264 milionë përdorues aktivë.

Telekom Albania pati një trend negativ në numrin e pajtimtarëve sipas kartave SIM duke shënuar rënie me 5.2% krahasuar me tre mujorin e dytë në 1.122 milionë. Por shënoi rritje të përdoruesve aktivë në 996 mijë ose 6.4% krahasuar me tre mujorin e dytë.

ALBtelecom është operatori i tretë për nga numri i pajtimtarëve sipas kartave SIM me 585 mijë dhe përdoruesve aktivë prej 446 mijë. Në segmentin e parë shënoi rënie me 3.7% ndërsa në të dytin rritje me 4.8%.

Një përdorues aktiv konsiderohet një kartë SIM me të cilën është realizuar një thirrje, dërguar një SMS apo aksesuar interneti në tre muajt e fundit.

Gjatë 2019-ës u vu re një trend i ri mes operatorëve të cilët po i shtyjnë abonentët e tyre me parapagesë drejt shërbimeve me kontratë.

Përgjatë 9 muajve të parë të 2019-ës u vu re një reduktim i ndjeshëm i pajtimtarëve me parapagesë nga 88% në fillim të vitit në 84% tre mujorin e fundit. Pjesa më e madhe e kësaj rënie i atribuohet Vodafone Albania e cila në fillim të vitit kishte 92% të pajtimtarëve me parapagim ndërsa në tremujorin e tretë 82%.

Telekom Albania numëron 89% të abonentëve me parapagim ndërsa ALBtelecom 80%.

Gjatë këtij tre mujori gjithashtu u vu re një rritje e ndjeshme e konsumit GB të internetit celular. U konsumua në total 20.2 milionë GB dhe 3.4GB mesatarisht për përdorues. Konsumi mestar për përdorues për minuta dhe SMS ishte 184 dhe 31 respektivisht. Afro 1.9 milionë shqiptarë aksesojnë internetin nga celular, një rritje me 13.8% krahasuar me tre mujorin e dytë. /PCWorld Albanian