Shënohet viktima e parë e hepatit që po alarmon mjekët, OBSH: 17 të mitur kanë pasur nevojë për transplantim të mëlçisë

Shpërthimi i hepatit, një sëmundje e cila prej ditësh ka ngritur alarmin pasi është duke prekur të miturit, ka shkaktuar tashmë edhe një viktimë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë me dije se një fëmijë i prekur nga hepatiti ka humbur jetën dhe 17 të mitur kanë pasur nevojë për transplantim të mëlçisë për shkak të një morie misterioze të rasteve të zbuluara për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Drejtuesit e OBSH-së kanë marrë raporte për të paktën 169 raste të ‘hepatitit akut me origjinë të panjohur’ nga 12 vende, raporton Daily Mail.

Rastet janë zbuluar tek fëmijët e moshës një muaj deri në 16 vjeç, shumica e të cilëve janë shtruar në spital.

“Nuk është ende e qartë nëse ka pasur një rritje të rasteve të hepatitit, ose një rritje të ndërgjegjësimit për rastet e hepatitit që ndodhin me shpejtësinë e pritur, por që nuk zbulohen”, ka thënë OBSH.

Megjithatë, shkencëtarët kanë sugjeruar se sasia e rasteve të rënda te fëmijët është e pazakontë.

“Megjithëse shifrat nuk janë të mëdha, pasojat kanë qenë mjaft të rënda. Është e rëndësishme që vendet të duken”, tha Richard Pebody, i cili drejton ekipin e patogjenëve me kërcënime të larta në OBSH.

Asnjë nga rastet nuk është shkaktuar nga asnjë nga pesë shtamet tipike të virusit – hepatiti A, B, C, D dhe E.

Ekspertët thonë se rastet mund të lidhen me një virus që zakonisht lidhet me ftohjet, i njohur si adenovirus, por se kërkimet e mëtejshme janë në vazhdim.

“Ndërsa adenovirusi është një hipotezë e mundshme, hetimet janë në vazhdim për agjentin shkaktar”, tha OBSH.