Shëndetësi pa humanizëm

Nga Redi Shehu

Teksa përpiqesh të kalosh postbllokun e ri fringo të instaluar në hyrjet kryesore të korpusit më të madh spitalor të kryeqytetit, përmes lëvizjeve rrobotike të punonjësve me shirita fosforeshent, që të paralajmërojnë pa folur për hyrjen në një territor ku rregulli dhe disiplina do të shkatërrojnë çdo tentativë tënden prej aventurieri, e kupton se fadroma e rilindjes ka ekzekutuar qytetin e kioskave brënda qytetit spitalor, duke e zëvendësuar me gjelbërim të krasitur dhe ndenjëse publike që si rastësisht mbanin ngjyrën e saj. Pasi ke marrë faturën e parkingut, e cila si gjithmonë do të paguhet në të ardhmen e afërt, përpiqesh të kënaqesh me një pamje e cila duket më pak rurale nga a jo e përhershmja e spitaleve tona, ku halli për sëmundjen përzihej me kaosin estetik në çdo cep të korpusit e që gjente strehim në mejhanën e radhës, institucionin e ndërmjetësimit makabër për pagesa ilegale mjekësh e ilaçesh.

Epo, pak optimizëm fillon të lëvrijë nëpër deje, sepse riaktivizohet shpresa e fjetur e të bërit të gjërave edhe në këtë vendin tonë, ku e mundura është më e pamundur se kurrë dhe mendon se ndoshta diçka ka filluar të marrë për nga e mbara. Por, përveç make-up-it të ambientit të jashtëm të korpusit spitalor më të rëndësishëm  të vendit, bota e brëndëshme e spitaleve tona, qëndron më e pandryshuar se kurrë, që nga kundërmimi i erës karakteristike të një cocktail-i frymërash mbytës e deri tek kontakti me realen spitalore, ku si qytetar, e kupton se rrezikon seriozisht nëse do të përballesh me shërbimin  mjeksor publik. Kur them seriozisht, kam parasysh thjesht që jeta jote mund të varet në fije të perit  për arsye se gjatë kërkimit që bën qytetari për të mësuar se çfarë po ndodh me trupin e tij, përballet jo rrallë me individë në të bardha, të cilët kanë një marrëdhënie pune të çuditshme. Së pari, e trajtojnë pacientin si qënie aliene e cila nuk ndan të njëjtën hapësirë publike me ta, dhe së dyti,  jo rrallë ekzaminojnë simptoma duke dhënë kura të cila kanë aspak të bëjnë me dhimbjen tënde. 

Pas pritjes me tone përçmuese apo shpesh edhe përjashtuese, sepse mund të kesh qëndruar me orë të tëra në radhë duke  rilexuar me mijëra herë parullën “kthehem shpejt”, ngjitur në xhamin e qorrtë të derës gjithmonë mbyllur, merr një deng me letra të cilat shpejt duhen konvertuar në disa kutiza plot melhem për shpresën tënde. Por, ja që nuk ndodh kështu, sepse industria farmaceutike kujdeset jashtë mase që dhimbja e kokës për ty dhe familjen të jetë vërtet reale. Pasi të prezantohen top listat me ilaçe, që kurrë nuk i gjen brënda spitalit, që renditen mbi bazë shtetësie, ku ato perëndimoret gëzojnë ndër të tjera edhe aftësi për të të varfëruar shumë shpejt, shkon i bindur se tashmë do të fillojë rehabilitimi i shumëpritur.

Është pikërisht këtu kur fillon përplasja tip telenovele mes rekomandimeve të mjekëve. Mjeku i turnit të dytë hedh poshtë kurën e mjekut të turnit të parë. Prandaj ti detyrohesh të marrësh kurën e supozuar të saktë, të një burri tjetër po me të bardha e të lagohesh drejt vendeve të ekzekutimit publik, që rëndom quhen  farmaci, dhe të përballësh sërish me kutiza  ilaçesh që nuk reshtin së qeshuri me ty. Pas gjithë kesaj, do të duhet të marrësh dhenë për të bërë disa analiza të treta, se të parat dhe të dytat janë shfuqizuar nga burri me bluzë të bardhë i spitalit që i kishte shpallur luftë heroit tonë të parë.  Kështu, tashmë bëhesh pronar i një ngarkese me ilaçe, që renditen stivë njëra mbi tjetrën dhe i një togu me letra të cilat çertifikojnë një rrjet stërmadh interesi lidhur në një marrëveshje trekëndore mes institucionesh shtetërore, laboratoresh  dhe farmacish.

E gjithë sfida jonë si shoqëri në përgjithësi, por edhe kur bëhet fjalë për shërbime shëndetësore, vërtitet rreth standarteve. Ne kemi një mekanizëm frenues sociologjik i cili si një ferrotë gjigande na mban larg standarteve të qytetërimeve të zhvilluara. Edhe kur përpiqemi të aplikojmë standartet më të përparuara,  atë e bëjmë ngadalshëm dhe në dështim e sipër. Kjo besoj, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveç se me paftësinë për t’u inkuadruar në vetdisplinim dhe vetsakrifikim, sepse standart do të thotë një entitet rregullash të aplikueshme për të gjithë njësoj. Edhe kur duam të aplikojmë me shumë mund ndonjë standart, ne atë e bëjmë në formë selektive duke shkaktuar diferencim social midis të kamurit dhe individit sociologjikisht me peshë dhe të thjeshtit e të zakonshmit ndër ne.

Shtuar gjithë kësaj edhe teknologjinë e vjetëruar e cila thërret pacientët që të diagnostikohen në klinikat private,  rastësisht të ndodhura në krahun tjetër të rrugës, krijon pakënaqësi të vazhdueshme tek taksapaguesi i cili nga njëra anë ndjen rritjen e taksimit  dhe nga ana tjetër provon përkeqësimin e shërbimit. Me mijëra pakënaqësi pacientësh, diagnostikime të gabuara që kanë çuar deri në raste fatale, indiferencë dhe nivel komunikimi alarmant i stafit të këtyre qëndrave me pacientët vulnerabël, nuk janë  pasuar nga një sistem efikas kontrolli e llogaridhënieje në lidhje me përgjegjësite që kanë ndaj taksapaguesve shqiptarë. Kështu, kemi një kosto stërmadhe ndaj qytetarit dhe shtetit ku i pari investon në rafshin individual pa u përplotësuar me një shërbim dinjitoz dhe efikas, i dyti, shteti pra, që investon në shëndetësi pa përmirësuar shërbimet dhe pa riformalizuar burimet. Shërbimi shëndetësor dinjioz dhe profesional, është shenjë e një kombi të qytetëruar që së pari ka respekt për veten dhe së dyti rrezaton humanizëm në lidhje me të tjerët.