SHBA, Komiteti i Inteligjencës publikon raportin mbi shkarkimin e Trump-it

"Ka prova të qarta se Trump ka përdorur autoritetin e tij për të bërë presion mbi Ukrainën që të shpallë hapjen e një hetimi kundër rivalit të tij politik Joe Biden", thuhet në raport

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve me shumicë votash miratoi raportin e përgatitur nga ky komitet lidhur me hetimin për shkarkimin e presidentit Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve me 13 vota “pro” të deputetëve demokratë dhe me 9 vota “kundër” të republikanëve miratoi raportin për opinionin publik, raport ky i cili është përgatitur në komitet lidhur me hetimin për shkarkimin e Trumpit.

Me miratimin e raportit në fjalë është paraqitur zyrtarisht hetimi për shkarkim në Komitetin e Drejtësisë të Dhomës së Përfaqësuesve.

– Çfarë përmban raporti?

Në raportin prej 300 faqesh të publikuar sot nga Komiteti i Inteligjencës i Dhomës së Përfaqësuesve nën kontrollin e demokratëve thuhet se, “Ka prova të qarta se Trump ka përdorur autoritetin e tij për të bërë presion mbi Ukrainën që të shpallë hapjen e një hetimi kundër rivalit të tij politik Joe Biden”.

Bashkë me këtë tërheq vëmendjen se kundrejt Trumpit janë drejtuar akuza në dy kategori të ndryshme në drejtimin se “ndihma ushtarake për Ukrainën dhe bisedimet me Shtëpinë e Bardhë kanë lidhje me kushtin që hetimet të njoftoheshin për opinionin publik në mënyrë që të siguronte dobi në fushatën zgjedhore 2020”.

– Nëse miratohet nga Komiteti i Drejtësisë do të kalohet në votimin e përgjithshëm

Raporti në fjalë është dërguar në Komitetin e Drejtësisë, ku dhe pritet që në Komitet nesër të zhvillohet edhe seanca e parë lidhur me hetimin e shkarkimit.

Sipas ligjeve amerikane, do të kalohet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Përfaqësuesve në rast se nga Komiteti i Drejtësisë miratohet kërkesa për shkarkim si rezultat i raportit të hetimit që përgatitet nga komitetet përkatëse.

Nëse merr një shumicë absolute nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, drafti në fjalë këtë herë shkon në Senat në të cilin shumicën e kanë republikanët dhe më pas do të fillojë procesi i gjykimit ndaj presidentit Trump.

– Hetimi për shkarkimin e Trumpit

Hetimet për shkarkim nisën pas raportit të një informatori i cili ka pretenduar se gjatë një bisede telefonike në korrik Trump i ka vendosur presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si kusht hetimin e rivalit Joe Biden dhe familjes së tij në mënyrë që SHBA të ndihmojë Ukrainën.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, demokratja Nancy Pelosi, më 24 shtator njoftoi se kanë filluar hetimin për shkarkimin e Trumpit me arsyen se “ka dëmtuar sigurinë kombëtare të SHBA-ve” dhe se “ka tradhtuar betimin presidencial”.

Më pas, Shtëpia e Bardhë më 25 shtator publikoi transkriptin e bisedës telefonike Trump-Zelensky duke mbrojtur mendimin e saj se nuk ka asnjë lidhje mes ndihmës dhe bisedës.

Në një votim të zhvilluar më 31 tetor në Dhomën e Përfaqësuesve u miratuan procedurat për hetimin e shkarkimit dhe u vendos që seancat të ishin publike. Ndërkoqë seancat publike në Komitetin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve u zhvilluan gjatë periudhës 13-31 nëntor.

Që nga dita e parë, Trump mbron idenë e tij se është i pafajshëm dhe hetimin për shkarkim e ka cilësuar si “një gjueti shtrigash të demokratëve të cilët nuk gjetën atë që shpresonin në hetimin rus”.