SHBA i refuzon vizën Petrit Vasilit. Lajmin e dha “Zëri i Amerikës” gjatë intervistës me Monika Kryemadhin

Të paktën 170 politikanëve të korruptuar në Shqipëri u është refuzuar viza, sipas “Zërit të Amerikës”.

Të paktën 170 politikanëve të korruptuar në Shqipëri u është refuzuar viza, sipas “Zërit të Amerikës”, raporton Top Channel.

Lajmi u dha gjatë një interviste me zonjën Monika Kryemadhi, kryetaren e LSI-së, e cila mohoi që në partinë e saj të kishte të tillë, megjithatë u tregua e hapur për një bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Por, sipas burimeve të “Zërit të Amerikës”, edhe Petrit Vasilit, nënkryetarit të LSI-së, i është refuzuar viza. Zonja Kryemadhi nuk besoi se ky lajm ishte i vërtetë, megjithatë shtoi se nuk mund të vinte dorën në zjarr për askënd.

“Nuk besoj se i është refuzuar viza zotit Vasili, por besoj se nëse ka njeri më pa probleme është zoti Vasili. Megjithatë, unë nuk vë dorën në zjarr as për fëmijët e mi dhe as për bashkëshortin tim, por dua të them që në çdo rast, çdo ndarje e informacionit me Ambasadën Amerikane do të ketë gadishmërinë tonë. Mos të harrojmë një gjë: zoti Vasili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotit Lu përsa i përket reformës në drejtësi dhe ka qenë një nga njerëzit i cili ka nxitur përfundimin e komisionit “ad hoc” të Komisionit të Reformës në Drejtësi”, tha Kryemadhi.