SHBA dhe Kina shumë afër arritjes së marrëveshjes tregtare

“Jemi afër një marëveshjeje shumë të madhe me Kinën. Ata e duan atë ashtu sikurse ne”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar shumë ngushtë në çështjet për tregti, kanë thënë zyrtarët në Pekin dhe Uashington, vetëm disa ditë para se të nisin së zbatuari masat ndëshkuese që u kanë vënë njëra-tjetrës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara janë “shumë afër” arritjes së marrëveshjes tregtare me Kinën, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Jemi afër një marëveshjeje shumë të madhe me Kinën. Ata e duan atë ashtu sikurse ne”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, transmeton REL.

Gjatë një takimi të zakonshëm në Pekin, zëdhënësi i ministrisë së Tregtisë së Kinës u ka thënë gazetarëve se “të dyja ekipet janë duke komunikuar në çështje ekonomike dhe ato të tregtisë”.

Shtetet e Bashkuara pritet të vendosin tarifa në produktet kineze në vlerë të 160 miliardë dollarëve nga 15 dhjetori.

Edhe Kina në anën tjetër pritet të nisë së zbatuari sanksione në mallrat amerikane nga kjo datë, me mundësi të rritjes së tarifave në produkte të caktuara.

Lufta tregtare në mes të të dyja shteteve ka shqetësuar shumë liderët botërorë dhe bizneset, që kanë përmendur mundësitë e ndikimit të këtyre mosmarrëveshjeve në tregun global.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati arsyetuar vendosjen e tarifave në mallrat kineze me, siç ka thënë ai, praktikat e padrejta tregtare të këtij shteti ndaj SHBA-së.