SHBA dënon emërimet e “abuzuesve” në poste të larta në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar për emërimet në pozitat e larta shtetërore, të individëve të pakualifikuar, të dënuar për krime lufte dhe të dyshuar për abuzime serioze të pushtetit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar për emërimet në pozitat e larta shtetërore, të individëve të pakualifikuar, të dënuar për krime lufte dhe të dyshuar për abuzime serioze të pushtetit.

Në reagimin e SHBA-ve thuhet se emërimet në Kosovë po pengojnë progresin drejtë ndërtimit të një reputacioni ndërkombëtar që do ta bënte atë një partner të dëshiruar të kombeve të tjera.

Ata u kanë bërë thirrje liderëve të vendit që ta marrin këtë çështje seriozisht e cila sipas tyre po e dëmton kredibilitetin. Në zyrën e kryeministrit janë shprehur se nuk e kanë të qartë se për cilat emërime bëhet fjalë,shkruan Top Channel.

Derisa vetë kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për media shkurt është përgjigjur se i mirëpresin kritikat që janë konstruktive.

“Na kritikojnë ata që na duan por kjo nuk do të thotë që prishen raportet tona me Amerikën”, ka thënë Haradinaj.

Shoqëria civile thotë se kjo është vazhdimësi e asaj çka ata kanë ngritur zërin prej vitesh. Sipas tyre, punësimet deri tani janë bërë në baza partiake duke i përmbushur kërkesat e të gjitha partive në koalicion.

Reagimet e SHBA-ve nisën pas thirrjeve të Ambasadës Britanike për respektimin e dhjetëra memorandumeve të bashkëpunimit nga institucionet shtetërore me qëllim të përzgjedhjes së personave adekuat në pozita të larta.

Së bashku me Britaninë e Madhe patën kundërshtuar në muajin mars emërimin e Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Ndërsa në muajin shkurt, vetë ambasadori Philip Kosnett përmes rrjetit social Twitter pati shkruar se “Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës”.