Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afrikën e Jugut ka akuzuar vendin për ofrimin e armëve për Rusinë, duke thënë se kjo është një shkelje e pozitës së neutralitetit që Afrikës së Jugut ka marrë në luftën në Ukrainë.
Armët u ngarkuan në një anije mallrash ruse që u ankorua fshehurazi në një bazë detare pranë Kejp Taun për tre ditë në muajin dhjetor të vitit 2022, dhe më pas u transportuan në Rusi, tha ambasadori amerikan Reuben Brigety më 11 maj.
“Ne jemi të sigurt se armët ishin ngarkuar në atë anije dhe unë mund të vë bast mbi jetën time për saktësinë e këtij pohimi”, tha ambasadori gjatë një konference me gazetarët, transmetoi një kanal vendor lajmesh.
“Armatosja e rusëve është jashtëzakonisht serioze dhe ne nuk e konsiderojmë këtë çështje të zgjidhur dhe do të donim që Afrika e Jugut të [fillojë] të praktikojë politikën e saj të neutralitetit”, tha ai.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime serioze për ankorimin e anijes, e cila është nën sanksionet e vendosura nga SHBA-ja.
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa ishte në Kejp Taun duke iu përgjigjur pyetjeve në Parlament kur një ligjvënës i kërkoi atij t’i përgjigjej pretendimit të ambasadorit Brigety. Presidenti u përgjigj se duke thënë se “çështja është duke u shqyrtuar dhe me kalimin e kohës do të jemi në gjendje të flasim për të”.