Sezoni turistik/ Nga Rusia tek India e Tailanda, Shqipëria liberalizon vizat për 8 shtete

Qeveria ka liberalizuar vizat për 8 shtete të huaja, duke i’u mundësuar qytetarëve të tyre që gjatë sezonit turistik të vizitojnë vendin tonë. Paradite ishte ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro që njoftoi vendimin, ndërkohë që tashmë ai është publikuar nga qeveria.

Sipas vendimit, shtetet të cilave u janë hequr vizat janë: Arabia Saudite, Bahrein, Egjipt, Indi, Katar, Oman, Rusi, Tailandë. Ajo që bie në sy është se Shqipëria ka liberalizuar vizat për shtetasit rusë, me një afat nga data 1 maj deri më 30 shtator.

“I huaji pajiset me dokumentin biometrik, leje qëndrimi për të huaj, sipas përcaktimeve të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, dhe paraqitet personalisht për aplikimin dhe tërheqjen e dokumentit biometrik. Përjashtimisht, lejet e qëndrimit të tipit “A”, leja provizore, leja e qëndrimit dhe leja unike që me marrëveshje ndërqeveritare është përcaktuar ndryshe, nuk janë biometrike.”. Formati i lejes provizore të qëndrimit, si dhe formati i lejes për motive humanitare të tipit “A”, sipas parashikimeve të nenit 37, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, lëshohen vetëm në formë elektronike, duke iu përmbajtur kushteve të sigurisë. Formati i këtyre lejeve është përcaktuar në aneksin nr.7, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për të huajt, që me marrëveshje qeveritare është parashikuar një format standard i lejes provizore të qëndrimit dhe i lejes për motive humanitare, zbatohet ky format”, thuhet në vendim.