“S’është përgjegjësia jonë që Berisha strehohet tek partia e Metës”, Bardhi tregon arsyet se pse dështojnë negociatat për bashkimin e PD

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka analizuar situatën sot në PD, ku grupi i Alibeajt u regjistrua sot në zgjedhje.

Në emisionin “Opinion”, Bardhi tregoi dhe arsyet pse kanë dështuar negociatat për bashkim brenda dy grupimeve në PD. Sipas tij, PD e drejtuar nga Berisha ka përgatitur skenarin që më 14 maj demokratët të përballen me njëri-tjetrin.

“Ne nuk po merremi vesh se kemi dy objektiva të ndryshme, i joni ka për qëllim për të qenë bashkë dhe për të fituar aty ku është mundur. Ka bashki ku nëse PD është bashkë fiton. Një pjesë tjetër që janë brenda PD që kanë një objektiv tjetër që beteja më 14 maj të jetë betejë mes demokratëve dhe fitues del Rama. Unë do bëj gjithçka që ky skenar të ngelet në derë atyre që po e përgatisin këtë. Këto skenare do t’i keni në derë. Kemi ofruar gjithçka. Diskutimet dështuan sepse në çdo rast gjendje një ngërç tjetër që ishte teknik dhe jo politik”, -tha Bardhi.

Mes të tjerash Bardhi tha se nuk është përgjegjësia e grupit të tyre që Berisha strehohet tek partia e Metës për zgjedhjet lokale të 14 majit. “Unë kam një qëndrim timin, që pavarësisht konfliktit brenda PD-së, duhet të gjejmë gjuhën për të pasur një kandidat për të gjithë opozitën. Nuk do kishte mesazh më të mirë për shqiptarët që duan ndryshimin, për të krijuar frymë në fushatë sesa gjetja e gjuhës mes demokratëve. Një pjesë e demokratëve janë kolegë brenda partisë. Duhet të kërkojmë arsyet pse nuk merremi vesh. Grupimi jonë ka objektiv për të qenë bashkë. Nuk them se PD-ja fiton 61 bashki. Ka një numër bashkish që nëse demokratët janë bashkë, janë të fitueshme. Sikundër ka një pjesë tjetër brenda PD-së, që kanë një objektiv tjetër që 14 majin ta kthejnë në një betejë brenda demokratëve. Këtij skenari, unë do bëj gjithçka që ky skenar të ngelë në derën e atyre që po e gatuajnë. Atyre që kanë interesa ta mbajnë zvarrë PD-në.

Ka pasur diskutime, kanë dështuar se në çdo rast që kemi diskutuar dhe ka qenë për çështje të vogla që ishte ngërç tekniko politik. Dhe vendimi i Celibashit ishte një për të krijuar një alibi për grupin e Berishës se pse ne nuk po bashkohemi. Kjo ishte loja politike që bëri kryekomisioneri i zgjedhjeve. Kanë gjithë hapësirën edhe pse nuk kemi ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve. Nuk është përgjegjësia ime që dikush zgjedh të strehohet tek partia e Metës. PD nuk është pronë e askujt. Ai që dorëzon letra, thjesht formalizon regjistrimin në zgjedhje. Pse do duhet të strehohet Këlliçi tek PL-ja?”, tha ai.