Serialet turke, ndërtues të urave ndërkombëtare kulturore

Serialet kanë një audiencë që përfshin mosha të ndryshme, duke përfshirë edhe të rinjtë, të cilët serialet i vlerësojnë si të rëndësishme edhe për ndikimin që kanë për të mësuar gjuhën turke

Prej shumë vitesh në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, në disa televizione kombëtare, lokale dhe platforma të tjera televizive shfaqen seriale të ndryshme dhe filma të kinematografisë turke, duke krijuar një ndikim kulturor dhe në aspekte të tjera në jetën e njerëzve.

Serialet kanë një audiencë që përfshin mosha të ndryshme, duke përfshirë edhe të rinjtë, të cilët serialet i vlerësojnë si të rëndësishme edhe për ndikimin që kanë për të mësuar gjuhën turke.

Përveç argëtimit, serialet turke gjithashtu formojnë ura ndërkombëtare kulturore dhe shoqërore.

Dardana Krasniqi, 17-vjeçare nga Prishtina, për Anadolu Agency (AA) tregon se ka filluar të shikojë seriale që para tetë vitesh, ndërsa pas dy vitesh ka filluar t’i kuptojë. Ndërkaq, tre vjet më pas, ajo ka filluar të flasë edhe me pjesën tjetër të familjes, me motrat dhe vëllezërit. Në po këtë kohë ka vizituar Turqinë, ku ka testuar turqishten e saj me vendasit.

Ajo tani vijon studimet në degën e Turkologjisë në vitin e parë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa paralelisht me këtë, ndjek ende kursin e turqishtes në Institutin “Yunus Emre” në kryeqytet, të cilin e ka nisur në shkurt të vitit 2017.

Stimulim për t’iu qasur rrugës akademike të mësimit të turqishtes, për Dardanen, siç thotë ajo, kanë qenë pikërisht serialet, por edhe dëshira për të mësuar gjuhë të huaja. Ajo thotë se kursin e turqishtes në Yunus Emre e ka nisur nga niveli B1 dhe jo nga niveli të cilin e fillojnë të gjithë fillestarët A1, falë shikimit të serialeve dhe filmave në turqishte.

Dardana thotë se serialet nuk i shikon vetëm ajo, por e gjithë familja.

“Si familje kemi qenë të gjithë që kemi shikuar në të njëjtën kohë seriale. Kjo ka ndikuar edhe te familja ime, sidomos te motra. Tash edhe motra mund të komunikojë. Domethënë, kemi edhe një gjuhë tjetër komunikimi përpos gjuhës shqipe që e flasim edhe në shtëpi me familjarët. E kemi edhe gjuhën turke si shtesë dhe që e flasim me qejf”, thekson studentja.

Nga koha kur ka filluar ta mësojë këtë gjuhë, Dardana thotë se ka pasur mjaft ndikim kulturor në jetën e saj. Por, ajo veçon kuzhinën si një nga pjesët që i ka pëlqyer vazhdimisht dhe më së shumti nga të qenit pjesë e audiencës së këtyre transmetimeve.

Serialet që i ka parë që kur ka nisur t’i shikojë kanë qenë “Pis Yedili” dhe “Akasya Durağı”. Ndërkaq, ato që i shikon aktualisht janë “Her Yerde Sen”, “Sen Anlat Karadeniz” dhe “Benim Tatlı Yalanım”.

Televizioni nacional kosovar që transmeton seri turke me titra shqip nga viti 2009 

Kohavisioni (KTV) është një ndër tre televizionet nacionale në Kosovë, që ka nisur të transmetojë seriale turke nga viti 2009, me serinë e parë që ka qenë “Kurtlar Vadisi” (Lugina e Ujqve).

Aktualisht, në skemën programore të KTV-së shfaqen dy seriale televizive turke, “Nusja nga Stambolli” (Istanbullu Gelin), i cili transmetohet çdo ditë pune, dhe “Rrahje zemre” (Kalp Atışı), që transmetohet çdo të shtunë.

Producenti ekzekutiv në KTV, Dardan Selimaj, tha për AA se shikueshmëria e serialeve turke është e lartë dhe ka ruajtur për vite me radhë konsistencën dhe interesimin e publikut kosovar.

“Seria turke në kuadër të Skemës së Kohavisionit radhitet si një prej prej prodhimeve më të shikuara pas lajmeve të KTV-së dhe debateve politike. Pra, në pjesën e programit argëtues, prin si përmbajtja programore me numrin më të madh të shikuesve. Kjo është një arsye tjetër pse i mbajmë në program. Dhe, që kur kemi filluar të transmetojmë seri turke, seritë latino-amerikane nuk janë më pjesë e skemës programore të KTV-së”, thotë Selimaj.

Selimaj thotë se në KTV nuk praktikohet sinkronizimi i personazheve origjinale me zë mbi, apo dublimi, por vetëm titrimi i tyre. Kjo, siç thotë ai, bëhet për të mos u dëmtuar origjinaliteti.

“Ne zakonisht nuk e kemi praktikuar sinkronizimin e serive televizive apo filmave televizivë, sepse konsiderojmë që një përqindje e madhe e fuqisë që përçon ai prodhim, mund të dëmtohet nëse sinkronizohet. Prandaj, kemi zgjedhur gjithmonë që t’i titrojmë materialet e huaja. Unë personalisht konsideroj që është më mirë, dhe pse jo një rrugë e dy punë, edhe e sheh një prodhim televiziv që të pëlqen, edhe mund ta mësosh një gjuhë tjetër”, thotë ai.

Ai kujton që seria më e suksesshme turke e transmetuar në KTV ka qenë “Dashuri dhe ndëshkim” (Aşk ve Ceza). Ndërkaq, ka pasur edhe seri të tjera të suksesshme, shprehet ai, “por ‘Nusja nga Stambolli’ është sukses absolut sa i përket shikueshmërisë”.

Sa i përket zhanreve të serive që pëlqehen nga publiku, Selimaj thotë se janë romancat dhe dramat ato që konsiderohen “sukses i garantuar i shikueshmërisë”, por jo seritë me tematikë historike, ndërsa të shpeshta janë rastet edhe kur publiku dërgon në adresën e këtij televizioni propozime dhe sugjerime mbi këto seriale.

Serialet turke kontribut ndaj ekonomive lokale

Zekerija Berisha nga Maqedonia e Veriut, i cili përkthen seriale turke në gjuhën shqipe, tregon se për shkak të nivelit të lartë të kuotës së shikueshmërisë së serialeve turke, edhe çmimet e reklamave janë të larta, gjë e cila mundëson edhe ngritjen e interesit ndaj këtyre serialeve.

Me një ekip përkthyesish që ka themeluar në vitin 2009, ai dhe ekipi i tij gjenerojnë të ardhura shtesë me përkthimin e serialeve. Berisha është ndër të parët që ka filluar me përkthimin e serialeve turke në gjuhën shqipe.

Ai ndër shumë seriale veçon “Filinta” dhe “Acı Hayat”, duke shtuar se në vitet e fundit është rritur cilësia e serialeve dhe filmave turq, gjë që ka ndikuar në shikueshmërinë e tyre.

“Nëse krahasojmë serialet që vijnë nga Turqia me ato nga vendet tjera, serialet turke janë numër një, nuk ka rënie, në të kundërtën, ka vetëm rritje. Thyejnë rekorde të shikueshmërisë”, u shpreh Berisha për AA.

Berisha gjithashtu tërhoqi vëmendjen se që nga vitet 2008-2009, kur kanë filluar të transmetohen serialet turke në Maqedoninë e Veriut, është rritur interesi i qytetarëve të këtij vendi ndaj Turqisë.

Ai ndër të tjerat tregon se serialet kanë ndikuar edhe në përhapjen e mësimit të gjuhës turke.

“Falë serialeve, shumë njerëz, qoftë shqiptarë, maqedonas, boshnjakë, mësuan gjuhën turke. Kjo nuk ndodh menjëherë, është një proces, disa vite, por ka njerëz që e kanë mësuar turqishten në nivele të larta”, tha ai.

Berisha gjithashtu tregon se familjet i emërojnë fëmijët e tyre me emrat e karakterëve të filmave të mirë dhe të kuptimplotë, si “Payitaht” dhe “Filinta”.

“Bazat për mësimin e turqishtes i mora nga serialet”

Kristjana Dervishaj, 16 vjeçe, e cila banon në Tiranë dhe aktualisht vazhdon gjimnazin me orientim gjuhësor “Asim Vokshi”, në profilin gjermanisht-anglisht-turqisht, prej disa vitesh ndjek rregullisht serialet turke që transmetohen në televizionet shqiptare, duke mësuar prej tyre edhe gjuhën turke.

Duke folur për AA, ajo tregon se që kur ishte në moshë të vogël, që në momentin që filmat dhe serialet turke filluan të transmetoheshin në Shqipëri, familja e saj i ndiqte.

“Edhe mua filluan të më tërhiqnin, që kur kam qenë në klasë të parë dhe të dytë. Duke parë prej kohësh filma e kapa gjuhën dhe më pas në klasë të gjashtë dhe shtatë fillova ta mësoja akoma më shumë. Nuk mjaftonte ajo e serialeve dhe filmave, ajo gjuha e përditshme, dhe fillova ta mësoja më mirë vetë. Fillova duke ndjekur filma, mbaja shënime për këngët, për çdo gjë në lidhje me gjuhën. Më pas fillova edhe duke dëgjuar këngë, ku merrja shënim tekstin”, shprehet ajo.

Dervishaj tregon se nga ndjekja e serialeve filloi të komunikojë në gjuhën turke me të afërmit e saj të cilit e njihnin këtë gjuhë apo e kishin mësuar në shkollë.

Te shumë të rinj, përveç mësimit të gjuhës turke në mënyrë autodidakte, serialet kanë ndikuar edhe në ndjekjen e kurseve të turqishtes apo vazhdimin e studimeve të larta në universitet në degën e gjuhës turke.

“Edhe moshatarët e tjerë i ndiqnin këto seriale dhe me shoqet komunikoja. Normalisht, bazat i mora nga serialet, duke dëgjuar vazhdimisht. Më pas mendova pse të mos kaloj në një nivel më të avancuar dhe vendosa që të filloja kursin në Institutin ‘Yunus Emre’ në Tiranë. Përveç gjuhës në këtë shtëpi kulture, unë mësova edhe shumë gjëra të tjera, si për kulturën turke, për gatimet dhe për artin”, tregon më tej Dervishaj.

Ajo thekson se edhe një nga gjërat që e kanë tërhequr më shumë në serialet turke janë edhe gatimet, duke treguar se pjesëtarët e familjes së saj i shikonin me shumë vëmendje dhe filluan edhe ata të gatuanin sipas kuzhinës turke.

“Kohët e fundit kam filluar të ndjek ‘Lot në Detin e Zi’ (Sen Anlat Karadeniz). Përveç gjuhës, këtu më pëlqen shumë edhe kultura dhe mënyra e jetesës së këtij vendi, sepse nuk është ajo Turqia që shikojmë shpesh, si Stambolli, këtu është qytet tjetër. Përveç organizimit të filmit, këtu më pëlqen shumë edhe dialekti, turqishtja joletrare dhe e shikoj për të kuptuar edhe dialektet. Serial tjetër që më ka pëlqyer shumë është edhe seriali ‘Ezel’, pasi kishte histori të veçantë”, shprehet ajo për AA.

Kristjana tregon disa nga serialet turke që ka ndjekur, që janë “Gymysh” (Gümüş), “Ezel”, “Jetë e hidhur” (Acı Hayat), “Dashuri e ndaluar” (Aşkı-ı Memnu), “Diamante dhe dashuri” (Kara Para Aşk), “Dashuri e pafund” (Kara Sevda), “Kosem” (Kösem), “Dashuri bardhezi” (Siyah Beyaz Aşk), “Çukur” dhe “Lot në Detin e Zi” (Sen Anlat Karadeniz).