Kryetarja e Komisionit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Ganimete Musliu deklaroi se Serbia është duke ndërtuar një bazë ushtarake në afërsi të kufirit.
“Janë vënë re trupa në kufi, është konfirmuar se në zonën e njohur e Izvorit, po ngrihet një bazë ushtarake. Pra, kjo po ndërtohet në afërsi me kufirin me Kosovën. Këtë e kanë konfirmuar pamjet me dronë. Gjendja e sigurisë është e brishtë dhe e tensionuar, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo provokimi të mundshëm”, deklaroi ajo.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Millan Mojsillovic i ka mohuar akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra”, deklaroi ai. Të dielën, ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla u shpreh se sulmi i Banjskës kishte për qëllim vënien në jetë të planit për aneksimin e komunave veriore.
Sveçla tha se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik, ndërsa publikoi dhe foto e video të marra me dronë, të cilat janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori Millan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.