Bizneset vlerësojnë se rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë është një hap i nevojshëm apo shumë i nevojshëm.
Ky është perceptimi që ka marrë Sekretariati i Këshillit të Investimeve në një anketë të zhvilluar në mars të këtij viti me mbi 500 ndërmarrje të madhësive të ndryshme.
“Rreth 50% e bizneseve mendojnë se rritja e pagës minimale ka qenë e nevojshme/shumë e nevojshme. Kjo tregon se ekziston një dakortësi mbi nevojën për të përmirësuar pagat e punonjësve”, vlerëson raporti.
Gjetjet tregojnë sipas raportit se në kompani të ndryshme ka një numër të madh punonjësish që paguhen me nivelin e pagës minimale.
Sekretariati nënvizon se një përqindje e konsiderueshme e kompanive (34%) kanë më shumë se 50% të punonjësve me pagë minimale.
Kjo sipas tij nxjerr në pah rëndësinë e rritjes së pagës minimale për shumë të punësuar. Por rritja e pagës ka rritur automatikisht edhe kostot e operimit të këtyre ndërmarrjeve ku më të ndjeshme kanë qenë në biznese të vogla ndërkohë që për të mëdhatë ndikimi ka qenë më modest.
“Rritja e pagës minimale ka sjellë rritje të kostove të aktiviteteve të biznesit për shumicën e kompanive (84% kanë pësuar rritje deri në 30%). Kjo është përballuar kryesisht nga shkurtimi i fitimeve dhe rritja e çmimeve, dhe më pak me largim nga puna të punonjësve” thuhet në dokument.
Dy elementë që anketa ka marrë parasysh është ai i ndikimit të kësaj mase në konkurrueshmëri dhe në produktivitet.
Sipas raportit kompanitë kanë një perceptim të përzier për ndikimin e rritjes së pagës minimale në konkurrueshmërinë e tyre. Ndërsa 39% mendojnë se nuk ka pasur ndikim, 37% mendojnë se i ka bërë më pak konkurrues. Ky perceptim është i njëjtë edhe tek eksportuesit.
“Produktiviteti: Megjithatë, kompanitë nuk perceptojnë një rritje të produktivitetit për shkak të rritjes së pagës minimale. Vetëm 18% e tyre perceptojnë rritje të produktivitetit, kryesisht në shërbime dhe turizëm” thuhet në dokument.
Sipas sekretariatit të KI gjysma e kompanive perceptojnë rritje të motivimit të punonjësve në punë (disi/mjaft), kryesisht në shërbime, turizëm dhe industri pas rritjes së pagave. Kjo sugjeron që pagat më të larta mund të çojnë në rritjen e moralit dhe motivimit të punonjësve.
Ndërkohë politika e rritjes së pagave pavarësisht kostove vlerësohet pozitivisht nga kompanitë edhe në parashikimet e të ardhmes duke e cilësuar si një instrument për të frenuar valën e largimit jashtë të punonjësve.
“Pavarësisht rritjes së kostove, rreth 50% e kompanive mbështesin rritjen e mëtejshme të pagës minimale, kryesisht në shërbime, tregti dhe turizëm. Rreth një e treta e kompanive mendojnë se kjo do të ndihmojë në frenimin e largimit të fuqisë punëtore në vend, kryesisht në turizëm, tregti dhe industri” thuhet në raport./N.Maho