Rritja e pagave, Shqipëria e fundit në Evropë

Sa i përket prodhimit të brendshëm bruto për frymë në raport me pjesën tjetër të Europës, Shqipëri rezulton të jetë më mirë vetëm se Kosova, Moldavia dhe Ukraina.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri, i shprehur në PPP, është sa 30.7% e mesatares së Bashkimit Europian, thonë të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Vienës për studime ekonomike ndërkombëtare (Wiiw), ku në analizë merren të gjitha vendet e Europës qendrore dhe juglindore. Sa i përket prodhimit të brendshëm bruto për frymë në raport me pjesën tjetër të Europës, Shqipëri rezulton të jetë më mirë vetëm se Kosova, Moldavia dhe Ukraina shkruan SCAN.

Të dhënat i referohen vitit 2018. Të tjera të dhëna ndërkohë  tregojnë se vendi ynë është ndër ato shtete me rritjen më të ulët të pagës  mesatare mujore gjatë periudhës 2014-2018 por edhe vetëm gjatë vitit 2018, siç e tregon qartë edhe grafiku. Gjatë periudhës 2014-2018 pagat në Shqipëri janë rritur me vetëm 0.5%, që është norma e tretë më e ulët ndër vendet e Europës qendrore, lindore dhe juglindore, më mirë vetëm se Mali i Zi dhe Kazakistani.

Për vitin e kaluar ndërkohë, rritja fiksohet në 1.3%, që është rritja më e ulët pas Turqisë, Malit të Zi dhe Moldavisë. Për vende si Rumania, norma e rritjes së pagave që prej vitit 2014 fiksohet në 9.9%. Në terma të përgjithshëm, raporti vë në dukje se 2018-a ishte viti i dytë me radhë që të gjitha vendet e rajonit kanë regjistruar terma pozitivë të rritjes ekonomike.