Rriten shqetësimet në Hong Kong nga dhuna në protesta

Shumë shërbime publike si arsimi, transporti dhe mbështetja shëndetësore janë goditur në masë të madhe nga protestat masive

Ndërsa protestat masive në rajonin autonom të Kinës, Hong Kong, evoluan në dhunë, vendasit janë të shqetësuar se demonstratat paqësore mund të shndërrohen në një konflikt midis civilëve dhe forcave të sigurisë.

Jeta e përditshme në Hong Kong, e cila ka një popullsi prej 7,4 milionë banorësh, ka hasur në pengesa të ndjeshme nga protestat, pasi shërbime të ndryshme publike që nga transporti, shëndetësia e deri tek arsimi janë ndërprerë.

Sipas shifrave zyrtare, rreth 3.560 persona janë arrestuar deri më tani, ndërsa opinioni është preokupuar me shqetësimet se edhe sa kohë do të vazhdojnë protestat.

Punonjësit e kompanive e kanë të pamundur të shkojnë për të punuar në Hong Kong, i cili shpesh vlerësohet si një nga shtyllat themelore të qendrave botërore financiare, ndërsa dyqanxhinjtë nuk mund të bëjnë biznes. Për më tepër, protestat janë përhapur tashmë në universitete.

Vendasit i thanë për korrespondentit të Anadolu Agency (AA) me qendër në Hong Kong që të “tregohet i kujdesshëm” dhe nuk iu përgjigjen pyetjeve për dhunën civile në qytet.

Pavarësisht se Hong Kongu njihet si qytet aktiv 24 orë në ditë, njerëzit preferojnë të kthehen në shtëpi para se të errësohet që nga shpërthimi i protestave.

Veçanërisht, përveç dyqaneve lokale, markat globale të teknologjisë, ato ushqimore dhe veshjeve nuk marrin guximin të hapin dyqanet e tyre për shkak të frikës së plaçkitjes ose dëmtimit të mundshëm.

Transporti ka pësuar një goditje të konsiderueshme, ndërsa trenat e metrosë nuk funksionojnë tashmë pas orës 22:00 për shkak të protestave. Në zonat e goditura nga protesta, forcat e policisë mund të pezullojnë metronë pa një paralajmërim të mëparshëm.

Vendasit e Hong Kongut nuk preferojnë të dalin edhe gjatë fundjavave për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Gjersa protestat kanë vazhduar që prej fillimit të kësaj vere, dhuna dhe përleshjet midis protestuesve dhe forcave të policisë u rrit javët e fundit.

Chow Tsz-lok, një student 22-vjeçar, humbi jetën dy ditë pasi ra nga një vendparkim pas ndjekjes së forcave të policisë.

Më 11 tetor, policët përdorën municion të vërtetë për herë të parë, duke qëlluar një protestues.