Rrëzohet një helikopter afër Kievit, humbin jetën 16 persona përfshirë ministrin e Brendshëm ukrainas

Si pasojë e rrëzimit të helikopterit në afërsi të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, kanë humbur jetën 16 persona, përfshirë ministrin e Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrskyi dhe zëvendësin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i policisë së Ukrainës, Igor Klimenko në një deklaratë me shkrim njoftoi se një helikopter i Shërbimeve të Situatave Emergjente u rrëzua në qytetin Brovary në rajonin e Kievit.

“Në aksident humbën jetën ministri Monastyrskyi dhe zëvendësi i tij Yevgeny Enin”, tha Klimenko, duke ndarë informacionin se si pasojë e aksidentit humbën jetën gjithsej 16 persona, përfshirë 2 fëmijë.

Ai theksoi se 22 persona të plagosur janë dërguar në spital për trajtim dhe se të gjitha njësitë vazhdojnë punimet në vendin e ngjarjes.

Sipas mediave ukrainase, helikopteri është rrëzuar në afërsi të një kopshti parashkollor dhe se si pasojë e aksidentit është shkaktuar zjarr në zonë.