Rregull i ri tatimi për të dypunësuarit

Gjatë vitit të ardhshëm një person që punon në dy punë do të tatohen për të dy rrogat bashkë. Delina Ibrahimaj drejtore e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se nga ky ndryshim do të preken 24 mijë persona. Sipas saj ky ndryshim ka në fokus rritjen e formalizmit në treg.

Personat që janë më shumë se një herë të punësuar dhe kur për çdo angazhim kanë pagë nën 30 mijë lekë në muaj do të duhet të paguajnë tatim.

Në ndryshimet e paketës fiskale është sanksionuar se atyre do tu unifikohen të ardhurat, duke u vendosur kështu në sistem, transmeton Ora News.. Në këtë mënyrë nëse në dy punë individi merr në total 50 mijë lekë do të duhet të tatohet për 20 mijë lekëshin me 13 për qind. Kjo për shkak se deri në 30 mijë lekë nuk ka tatim mbi pagat.

Delina Ibrahimaj: Një individ që merr dy paka nga 29 mijë lekë të reja, tek dypunëdhënës të ndryshëm, paguan 0 tatim mbi të ardhurat për pagat. Nga ana tjetër në rastet e dy apo më shumë të punësuarve, individët i shmangen formulës së llogaritjes progresive të tatimit mbi pagat duke zbritur shumën 30 mijë lekë si të patatueshme në të gjitha pagat që ai përfton.

Nga ky ndryshim preken rreth 24 mijë persona të cilët më parë nuk përfshiheshin në skemë.

Delina Ibrahimaj: Nga verifikimet e kryera në sistemin tonë janë rreth 24 mijë individë që janë të dypunësuar apo trepunësuar nga punëdhënës të ndryshëm. Këta individë janë të profesioneve të ndryshëm si inxhinier, arkitekt, ekonomist, pedagog, konsulent, kuzhinier. Në shumë raste ata janë individë të caktuar në pozicione drejtuese.

Në Shqipëri ka në total 35 mijë të dy punësuar  dhe rezulton se 24 mijë prej tyre nuk i deklarojnë të ardhurat.