Reshjet e shiut shoqëruar me erë të fortë, probleme me energjinë elektrike në disa qytete

Probleme me energjinë elektrike raportohen në qytetet ku reshjet e shiut kanë vazhduar gjatë natës me intensitet të lartë deri në mesatarë.

Në të gjitha njësitë administrative të Shkodrës ka probleme me energjinë elektrike, ndërkohë që nuk raportohen probleme përmbytjesh.

Niveli i lumit Drin shënon kuotën 6.05 m me një rritje prej 25 cm me orën 18.00 të datës 17.01.2023 (kuota max 7.50 m”, ndërsa niveli i liqenit (hidrometri ura e Bunës) shënon 7.40 m me një rritje prej 15 cm me orën 18.00 te dates 17.01.2023 ( kuota max 8.70 m ).

Aktualisht, kanë nisur shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe kjo pranohet zyrtarisht edhe nga shefi i Shtabit të Emergjencave në Shkodër, Pellumb Dani.

“Sipas parashikimeve, presim reshje të shumta, por për momentin situata është nën kontroll. Jemi në gatishmëri për të përballuar të gjitha strukturat. Sot, shkarkimet nga Vau i Dejës shkojnë deri në 700 metër kub”.

Në Lezhë, ka rënë rreth 15 mm shi, shoqëruar me erë të fortë, por nuk ka probleme me përmbytje dhe furnizimi me energji elektrike vijon pa probleme.

Kuota lumit Drin aktualisht është +0.73 m, nga +2.0 m që është kuota kritike, kuotat e lumit Mat dhe Gjadër kanë rritje të vogël pa krijuar problem.

Si pasojë e erërave të fortë gjatë natës, ka mungesë të energjisë elektrike në disa zona në Vlorës, konkretisht në Dukat, Llogara, Radhimë, disa familje në Ujë të ftohtë, Peshkpi, Vllahine, Kallarat, Bolenë, Vranisht, Mesaplik, Terbac, Brataj, Velc, Bashaj, Sevaster.

Në zonat malore, reshjet e borës kanë vazhduar gjatë natës së kaluar. Po punohet në disa akse nga punonjësit e ARRSH për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.

Ministria e Mbrojtjes njofton se Forcat e Armatosura kanë të angazhuara në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.