Policia e Tiranës ka arrestuar përgjegjësin e punimeve në pallatin ndërtim, ku humbi jetën ditën e djeshme një 58-vjeçar, si pasojë e rënies nga lartësia.
Policia bën me dije se nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se viktima ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë.
58-vjeçari u rrëzua në hapësirën e dedikuar për ashensorin nga katy i dytë dhe u gjet në parkim.
Materialet në ngarkim të personit të ndaluar i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë shtetasi T. M., mesditën e djeshme. Nga verifikimet e kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi T. M., 58 vjeç, ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. M., duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.