Raporti i Europol për trafikun e kokainës, çfarë thotë për bandat shqiptare

Më e dhunshme, me më shumë diversitet dhe më konkurruese. Këto janë 3 karakteristikat kryesore të trafikut të kokainës në Evropë, sipas raportit më të ri të publikuar nga Europoli.

Raporti nënvizon rëndësinë e hetimeve mbi pastrimin e parave, për të ndjekur përfitimet e paligjshme dhe për të konfiskuar asetet e lidhura me aktivitetin kriminal. Këto hetime financiare duhet të jenë baza e luftës kundër trafikut të kokainës.

Europol thotë se bandat kriminale përdorin qytetet porte të Roterdamit, Hamburgut dhe veçanërisht Antverpin për të transportuar drogën në Holandë, nga ku shpërndahet pastaj në të gjithë Evropën.

Raporti nënvizon se bandat evropiane të drogës shpesh operojnë përgjatë vijave familjare, etnike ose gjuhësore, “duke përfshirë bandat marokene dhe shqiptare”, si dhe “grupin mafioz Ndrangheta të Italisë”.