Raporti i DASH/ Noka: Shumë realist, pasqyron të gjitha shqetësimet që ka ngritur opozita

Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që kritikon Shqipërinë për mosndëshkimin e krimit dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë si dhe hapat prapa në lirinë e shprehjes, deputeti demokrat Flamur Noka e cilëson si “tepër realist dhe objektiv”.

“Është shumë realist, objektiv. Pasqyron të gjitha shqetësimet që kemi ngritur, vjedhjen e votave, korrupsionin, pengmarrjen e drejtësisë”, u shpreh Noka në një intervistë për emisionin “Zona Zero”, në Top News.

Ndërsa për nismën e Grupit të Rithemelimit për të bashkuar të djathtën, Noka u shpreh se janë në rrugën e duhur, por thotë se

“Bashkimi është një proces që po vazhdon në bazë. I vetmi problem është në qendër, te grupi parlamentar. Është për turp që sot ne jemi të regjistruar si deputetë të pavarur, po të shohësh listën në kuvend”.

Megjithatë, shton deputeti, “çdo plagë do të mbyllet avash avash’ dhe Partia Demokratike do të jetë e bashkuar.

Raporti i DASH për Shqipërinë rendit probleme si korrupsion, mos ndëshkim në të gjitha nivelet e qeverisjes, mungesë pavarësie në sistemin gjyqësor, si dhe kufizim i lirisë së shprehjes.

Sipas raportit të DASH, qeveria nuk e zbatoi legjislacionin që ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.
Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”, thekson raporti.

Në raportin e DASH, përfshihet dhe një raport i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që nxori disa gjetje për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, si blerja e votave, rrjedhja e të dhënave personale dhe avantazhi i konsiderueshëm i partisë në pushtet”.