Qytetarët e Shkodrës iu bashkuan thirrjes së shoqatës Vëllazërore Humanitare Kulturore “Istanbul” për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga tërmetet shkatërrues që goditën Turqinë ditën e hënë, datë 06.02.2023.
“Solidariteti me popullin vëlla turk është i papërshkrueshëm! Mobilizimi dhe gatishmëria e qytetarëve të Shkodrës për të kontribuar në të gjitha mënyrat ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ditën e premte u nis kamioni i parë me ndihma. Po punohet me intensitet për paketimin dhe përgatitjen e kamionit të dytë që do të niset sot. Një numër i konsiderueshëm vullnetarësh po ndihmojnë në procesin e grumbullimit dhe paketimit të ndihmave, të cilët ne i falenderojmë për kontributin e tyre. Falenderim i veçantë shkon për të gjithë qytetarët e Shkodrës për solidaritetin e treguar dhe për të gjitha kontributet e dhëna”, – shprehet kryetari i shoqatës “Istanbul” Ridvan Seferaj.

Procesi i mbledhjes së ndihmave po organizohet në ambientet e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” Shkodër, e cila administrohet nga shoqata “Istanbul”.
Ndimat përfshijnë rroba, këpucë, çadra, krevate, batanije, dyshekë, gjeneratorë, artikuj ushqimorë, materiale patrimi dhe higjene etj.
Shoqata “Istanbul” nëpërmjet ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë i ka dërguar edhe një mesazh ngushëllimi Republikës së Turqisë dhe popullit vëlla Turk me anë të cilit ka shprehur solidaritetin dhe dhimbjen e përjetuar nga pasojat e tërmeteve.

Njëkohësisht duke pasur bindjen se me ndihmën e Zotit, Turqia do ta përballojë me kurajo dhe sukses këtë moment të vështirë dhe do të dalë edhe më e fortë.