Qeveria e Abazoviç në Mal të Zi, shqiptarët marrin dy ministri

Kreu i partisë URA, Dritan Abazoviç pritet që të bëjë të ditur emrat e kabinetit të tij qeveritar sot në mesditë.

Qeveria e ‘Abazoviç’ pritet të ketë në përbërje katër zv.kryeministra dhe 20 ministra.

Ilmira Lika, gazetare nga Mali i Zi, thotë se shqiptarët mund të arrin drejtimin e dy ministrave dhe një zv.kryeministri.

“Po nuk pritet që të kenë drejtimin e ndonjë ministrie të rëndësishme”, tha reporterja.

Sipas gazetares, koalicioni qeverisës mund të ketë 43 deri në 49 mandate në parlamentin me 80 ulëse.

Pavarësisht kësaj, Lika shprehet se nisur nga fakti se në koalicion janë bashkuar shumë forca politike, qeveria do të jetë shumë e brishtë.

Ajo thotë se bashkimi është bërë për interesa të ngushta dhe këtë e tregon fakti se Mali i Zi do të ketë për herë të parë një qeveri me 4 zv.kryeministra.

Gazetarja tha se kjo qeveri gëzon dhe një mbështetje të vogël në popull pasi nga një sondazh i fundit 57% e të pyeturve kërkonin zgjedhje të parakohshme.