Qëlloi me armë zjarri i riu në Lezhe gjatë ecjes me makinë, arrestohet një 20-vjeçar e 2 të tjerë në kërkim

Hetimet e thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Lezhës, zbardhin ngjarjen e ndodhur pasditen e datës 24 mars 2023, ngjarje e kallëzuar fillimisht nga shtetasit e përfshirë në të, si aksident rrugor.

Kanosi me armë zjarri, në bashkëpunim me 2 shokë të tij, një 23-vjeçar, dhe gjatë largimit me shpejtësi, u përplas me një automjet tjetër, arrestohet 20-vjeçari. Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.

Shpallet në kërkim edhe 23-vjeçari që u kanos nga këta shtetas, për moskallëzim krimi.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në dyshimet e krijuara mbi një rast të ndodhur më datë 24.03.2023, në aksin rrugor “Tiranë-Lezhë”, në Ishull Lezhë, të raportuar fillimisht si aksident rrugor, kanë kryer hetime të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në të.

Nga hetimet e thelluara ka rezultuar se shtetasi A. F., në bashkëpunim me 2 shokë të tij, shtetasit K. Gj. dhe D. D. (të dy të shpallur në kërkim), kanë kanosur me armë zjarri, poshtë mbikalimit të Ishull Lezhës, shtetasin E. L. Gjatë largimit me shpejtësi, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit A. F., K. Gj. dhe D. D., është përplasur në mbikalimin e Ishull Lezhës, me automjetin me drejtues shtetasin M. K.

Nga veprimet e para, ky rast është trajtuar fillimisht si aksident rrugor, por si rezultat i informacioneve të grumbulluara në vendngjarje, janë thelluar hetimet dhe si rezultat i tyre, është zbardhur dinamika e këtij rasti.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 20 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit K. Gj., 24 vjeç, banues në Rrilë dhe D. D., 23 vjeç, banues në Barbullojë.

Gjithashtu, për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 23 vjeç, banues në Tale, i cili nuk ka kallëzuar se është kanosur me armë zjarri, nga 3 shtetasit e lartpërmendur.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.