Putin: Të punosh me Turqinë është më e lehtë sesa me BE-në

“Erdoğan e ka vendosur dhe e ka bërë. Dhe këtu (në BE) ne kemi nevojë që 27 vende të pajtohen, ajo zgjat me vite dhe asgjë nuk ndodh”, deklaroi Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se të kesh punë me Turqinë është më lehtë sesa me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Duke krahasuar strukturën e tubacioneve “Rrjedha Veriore 2” dhe “Rrjedha Turke” në një konferencë për media me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen, të mbajtur në qytetin Soçi të Detit të Zi, Putin theksoi se “është më lehtë të punosh me turqit”.

“Erdoğan e ka vendosur dhe e ka bërë. Dhe këtu (në BE) ne kemi nevojë që 27 vende të pajtohen, ajo zgjat me vite dhe asgjë nuk ndodh”, deklaroi Putin.

Megjithatë, shtoi Putin, projekti “Rrjedha Veriore 2” do të përfundojë pavarësisht pengesave, përfshirë kundër veprimet e SHBA-ve.

Duke iu referuar axhendës ndërkombëtare, Putin shprehu keqardhje për shkeljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin.

“Na vjen keq që marrëveshja po shkatërrohet. Qëndrimi ynë është i njohur për të gjithë partnerët, përfshirë edhe ato amerikanë. Ne kemi mbështetur ruajtjen e kësaj marrëveshjeje. Irani, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, në këtë kuptim është vendi më i verifikueshëm dhe më transparent në botë”, deklaroi Putin.

Van der Bellen u pajtua me Putinin, duke theksuar se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar pajtimin e Iranit me marrëveshjen 13 herë.

Ai shprehu shqetësim se një konfrontim i SHBA-ve mund të kthejë në një situatë të ngjashme me Irakun, duke iu referuar pushtimit të SHBA-ve të vitit 2003. Ai po ashtu shtoi se askush nuk dëshiron një skenar të tillë.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja kyçe mes Iranit dhe grupit të kombeve P5+1, pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania.

Pak kohë më vonë, Washingtoni ri-imponoi sanksione ekonomike ndaj Iranit, duke synuar sektorin energjetik dhe bankar të vendit.