Provat e reja për 21 janarin/ Berisha: Përgjegjës është vetëm Edi Rama! Meta: Histori e sajuar!

Sali Berisha i vënë nën akuzë nga socialistët për provën e re të publikuar, një regjistrimi audio, mes ish kreut të gardës Ndrea Prendi dhe vartësve të tij në 21 janar 2011 ku urdhërohet hapje zjarr ndaj protestuesve, i quajti akuzat ‘budallallëqe të Ulsi Manjas’.

Në njoftimin për shtyp Berisha tha se i vetmi përgjegjës kryesor i asaj ngjarje është kryeministri Edi Rama.

“Ka mundësi të qëndrojmë tek problemi i vërtetë dhe të mos komentojmë budallallëqet e Ulsit . A ja vlen te komentojmë atë, ai komenton veten. E theksova dhe e theksoj njeriu përgjegjës për atë çka ndodhi është vetëm një: Edi Rama. Dhe ta ketë të qartë kurrë s’do i ndahet kjo akuze. Jam njeri pa imunitet”- u shpreh Sali Berisha.

Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se kjo është një histori e sajuar me qëllim që të shmanget vëmendja nga skandalet e qeverisë.

“Kjo është një shashkë e nivelit më ordiner për të shmangur vëmendjen nga afera inceneratorëve dhe skandale të tjera. Këto janë histori që nuk i fshehin dot skandalet e Ramës. Tregojnë ca niveli është drejtësia, që hap e mbyll çështje me urdhër të Edi Ramës. Mashtrimet e Edi Ramës nuk i sheh drejtësia e pavarur, ata të hetojnë edhe para 12 vjetësh edhe para 3 mijë vjetësh, por shqiptarët nuk janë budallenj e shohin sesi po vidhen nga Rama dhe mezi po presin 14 majin për ta ndëshkuar këtë regjim”, tha Ilir Meta.

Shumica socialiste nuk humbi kohë pas publikimit nga gazetari Artan Hoxha në emisioni Zona Zerro, të një regjistrimi audio, me radio marrëse e dhënëse, mes ish kreut të gardës Ndrea Prendi dhe vartësve të tij në 21 janar 2011 ku u vranë katër protestues.

Ditwn e djeshme, Ministri Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se në emër të qeverisë është dorëzuar në prokurori, një padi bazuar në këtë provë të re.

Të vetmit të dënuar për katër vrasjet në bulevard, 12 vite më parë janë ish komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg.