Propozohet rezoluta që t’i kërkohet Greqisë heqja e Ligjit të Luftës, PS e PD dakord

Në Konferencën e Kryetarëve u diskutua këtë të martë rezoluta e propozuar nga PDIU që Kuvendi i Shqipërisë t’i kërkojë Greqisë heqjen e Ligjit të Luftës.

Bëhet me dije se dakordësi për deklaratën u arrit edhe nga dy forcat më të mëdha politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Në Konferencën e Kryetarëve u diskutua dhe për një datë, ku u ra dakord që debati në lidhje me këtë propozim të mbahet në seancën e datës 18 korrik.

Pas debatit në parlament pritet që ezoluta e propozuar nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet të kalohet në votim.

“Duke mbajtur parasysh se dy vendet tona janë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët.

Duke mbajtur shënim kontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE.

Duke vlerësuar kontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse.

Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë.”

Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve tona.

Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr. 2636/40, mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte;

Me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet”, thuhet në rezolutën e paraqitur.