Presidenti polak, Duda: Solidariteti në BE është “përrallë zanash”

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda deklaroi se nuk kanë marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian (BE) kur kanë pranuar në vend ata që u larguan nga lufta Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për “Polsat New” që transmeton në Poloni, Duda tha se ngjarjet në Izrael mund të krijojnë presion të ri migrimi. Pasi nënvizoi se duhet të shmangen udhëtimet drejt Izraelit, Duda tha se duhet të tregohet kujdes deri kur situata të qetësohet dhe kur të ndalen luftimet.

Ai shpreson se qeveria e re që do formohet pas zgjedhjeve parlamentare më 15 tetor, do të respektojë para së gjithash interesat e Polonisë dhe të polakëve ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të votojnë.

Lidhur me politikat e Polonisë për emigracionin, Duda tha: “Nuk pranojmë asnjë zhvendosje të detyruar të emigrantëve, asnjë sistem kuotash, apo ndonjë sanksion lidhur me shpërndarjen e emigrantëve në Evropë”.

“Tashmë ne nuk kemi asnjë dyshim se historitë lidhur me solidaritetin evropian janë përrallë zanash që na tregohen neve në institucionet evropiane”, tha Duda.

Në pyetjen për politikat e Varshavës ndaj Kievit, Duda shtoi se interesat e Polonisë janë gjithmonë primare dhe se nuk bëhet fjalë për konflikt diplomatik.