Presidenti i Portos paralajmëroi se Casillas i jep fund karrierës

"Kemi një problem me Casillasin. Ne zgjatëm kontratën me të, duke mos kërkuar një alternativë tjetër në portë. Tani mendojmë se do të na duhet dikush tjetër", tha Pinto Kosta

Presidenti i klubit futbollistik Porto, Jorge Nuno Pinto da Costa, bëri të ditur se portieri i klubit, Iker Casillas së shpejti mund t’i thotë lamtumirë karrierës profesionale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Portieri i shkëlqyer 37 vjeçar spanjoll, dy javë më parë pësoi një sulm në zemër nga i cili po rimëkëmbet mirë, megjithatë mjekët e kanë këshilluar të mos luaj më futboll.

Ndonëse nuk ka një konfirmim zyrar se Casillas mund t’i thotë lamtumirë futbollit, presidenti i Portos në një deklaratë për mediat portugeze, bëri të ditur një skenar të tillë.

“Kemi një problem me Casillasin. Ne zgjatëm kontratën me të, duke mos kërkuar një alternativë tjetër në portë. Tani mendojmë se do të na duhet dikush tjetër”, tha Pinto Kosta.

Ish portieri i Real Madridit, mbërriti në Porto në vitin 2015, prej kur ka regjistruar 156 paraqitje, nga të cilat në 74 ndeshje, ka ruajtur rrjetën të patundur.

Me fanellën e “klubit mbretëror” regjistroi 725 paraqitje ndërsa për ekipin kombëtar të Spanjës ka luajtur në 167 ndeshje.

Ai ka një karrierë shumë të pasur me trofe, në të cilën me Spanjën ishte kampion i botës dhe dy herë kampion evropian. Me Real Madridin fitoi pesë tituj të kampionit të Spanjës, dy Kupa dhe katër Supekupa.

Casillas ka fituar tre herë Ligën e Kampionëve, dy Superkupa të Evropës dhe tre tituj të kampionit botëror për klube. Vlen të përmendet se me Porton fitoi titullin e kampionit të Portugalisë dhe Super Kupën.