Presidenti Erdoğan shënon Ditën e Fitores së Azerbajxhanit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shënoi Ditën e Fitores së Azerbajxhanit në përvjetorin e parë të çlirimit të qytetit kyç Shusha në rajonin Karabakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Uroj sinqerisht Ditën e Fitores së Azerbajxhanit dhe këtë ditë të lavdishme që shënon çlirimin e territoreve të Karabakut”, shkroi presidenti Erdoğan në Twitter.

Ai ka përkujtuar me mirënjohje edhe “heronjtë që luftuan pa hezitim” për atdheun dhe ranë në betejë, si dhe veteranët trima.

Çlirimi i Shushës më 8 nëntor të vitit të kaluar luajti një rol vendimtar në fatin e Luftës së Dytë të Karabakut, e njohur gjithashtu si Lufta Patriotike, në të cilën Azerbajxhani çliroi rreth 300 vendbanime nga pushtimi armen.

Më 3 dhjetor 2020, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev nënshkroi një dekret për shënimin e Ditës së Fitores më 8 nëntor.

Shusha, kryeqyteti kulturor dhe historik i Azerbajxhanit, u çlirua vjeshtën e kaluar pas 28 vjetësh pushtimi armen.

Gjatë konfliktit 44-ditor, i cili përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia nëntorin e kaluar, Azerbajxhani çliroi disa qytete strategjike dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga gati tre dekada pushtimi armen.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit.

Një qendër e përbashkët turko-ruse u krijua pas konfliktit për të monitoruar armëpushimin.