Presidenti Bajram Begaj pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore brenda të enjtes së 27 tetorit.
Kodi zgjedhor parashikon se Presidenti e dekreton datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj nga mbarimi i mandatit, çka përkon me fundin e muajit tetor. Përfundimi i mandatit të kryebashkiakëve në detyrë është 27 korriku, datë kur KQZ, 4 vite me parë, shpalli zyrtarisht rezultatin e vendoreve të 2019.
Kreu i shtetit duhet të dekretojë një datë mes 15 prillit dhe 15 majit. Ndërkohë në tryezën e Presidentit Begaj nga partitë politike është hedhur si propozim data 14 maj.