Pompeo fajëson Iranin për sulmet ndaj fabrikave saudite të naftës

“Në mesin e të gjitha thirrjeve për uljen e tensioneve, Irani tani filloi një sulm të paprecedent ndaj furnizimit botëror të naftës. Nuk ka prova se sulmet kanë ardhur nga Jemeni”, tha kryediplomati amerikan

0

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka fajësuar Iranin për sulmet me dronë ndaj dy fabrikave të naftës në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim në Twitter, Pompeo tha se ministri i Jashtë iranian Javad Zarif shtiret sikur bën diplomaci dhe se Teherani qëndron prapa gati 100 sulmeve ndaj Arabisë Saudite.

“Në mesin e të gjitha thirrjeve për uljen e tensioneve, Irani tani filloi një sulm të paprecedent ndaj furnizimit botëror të naftës. Nuk ka prova se sulmet kanë ardhur nga Jemeni”, tha kryediplomati amerikan.

Pompeo u bëri thirrje të gjitha shteteve ta dënojnë haptazi Iranin, duke shtuar se SHBA do të punojë së bashku me partnerët dhe aleatët për të siguruar vazhdimin e mbarë të furizimit në tregun e energjisë dhe për të kërkuar llogari nga Teherani për agresionin.

Sulmet më herët u dënuan edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i telefoni princit saudit të kurorës, Mohammad bin Salman, duke u shprehur se Washingtoni është i gatshëm të bashkëpunojë në çdo fushë për sigurinë dhe stabilitetin e Arabisë Saudite.

Pas sulmeve me dronë, Arabia Saudite ndaloi përkohësisht prodhimin e naftës nga dy fabrikat e saj naftës të drejtuara nga kompania shtetërore Saudi Aramco, që korrespondon me gati dy milion fuçi në ditë.

Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë, rebelët Huthi në Jemen, të cilët luftojnë kundër koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, thanë se kanë kryer sulme të ngjashme në të kaluarën.

Grupi Huthi i mbështetur nga Irani, raketat balistike të të cilit zakonisht interceptohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, më parë ka shënjestruar asete dhe lokacione të caktuara strategjike të Arabisë Saudite, duke përdorur drone të armatosura.

Lajme të ngjashme

Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.