90 minuta shumë të luftuara por Shqipëria nuk ia del mbanë sepse goli i Swiderski-t në fundin e pjesës së parë e dënon skuadrën Kombëtare dhe trajnerin Sylvinho në debutimin e tij në stolin kuqezi.
Ndeshje shumë e mirë përtej disa gabimeve të evitueshme për skuadrën kuqezi që në pjesën e dytrë tregoi se ka shumë alternativa por duhet të jetë më cinike për të thyer edhe skuadra të tilla kaq të forta sa Polonia.
Cikalleshi në pjesën e parë me një goditje nga jashtë zonës ishte kërcenimi i vetëm për polakët që gjithashtu nuk treguan pothuajse asgjë por morën shumë nga ky fraksion duke shkuar në dhomën e zhveshjes më pak të tensionuar.
Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës ekipi kuqezi u duk më i shpenguar dhe me zgjimin e Asllanit në krahun e majtë të mesfushës, porta e Sczezny u rrezikua dy herë brenda pak sekondave, fillimisht me Uzunin dhe më pas me mesfushorin e Interit.
Ndeshje me ritëm ku Asani, një nga më të mirët në fushë filloi të lëshonte terren por Sylvinho hodhi në fushë Mehmetin dhe në vend të Cikalleshit aktivizoi Seferin. Çfarë mundësie e humbur nga Uzuni që 5 minuta nga fundi fali polakët nga rreth 5 metra duke e nxjerrë topin jashtë. Drithërima për skuadrën e Santos dhe shumë keqardhje për Shqipërinë.
Volum i lartë loje, kontroll i dendur i topit por edhe disa rreziqe të krijuara në zonën tonë ku Mihaj ishte nota më e ëmbël e mbrëmjes së Varshavës duke shpëtuar Strakoshën nga një dalje e pamenduar mirë. Godet në shenjë trajneri brazilian edhe me qëndërmbrojtësin e Famalicaos, deri në fund në balotazh me Veselin.
Kjo është Kombëtarja që të gjithë prisnim dhe ndoshta me pak më shumë qetësi kjo skuadër mund të shkojë larg. Tani është radha e Moldavisë në 17 qershor në “Arenën Kombëtare”, kundërshtar që sonte ndali Republikën Çeke në barazim pa gola në Chisinau duke mos lejuar shkëputjen e rivalëve të vërtetë të kuqezinjve.