Plani B

Nga Redi Shehu

Ishte një “Jo” e cila në pak minuta shkërrmoqi ëndrrën disa dekadëshe të shqiptarëve për t’u integruar në bashkësinë e vendeve të standartizuara të cilën e quajmë BE. Franca, një ndër kolonat kryesore të Bashkimit Evropian, vendosi të refuzonte hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqpërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me justifikimin e një rikonceptimi që BE duhej të bënte për mënyrën se si ky ingranazh gjigant të mund të funksionojë. Pra, me pak fjalë nuk ishte një “jo” që lidhej më reformat dhe mënyrën se si Shqipëria do të duhej të sillej, por ishte një “jo” ndaj vetë Evropës. Në këtë pikë, pyetja më legjitime që të vjen në mend është : “A është vërtet Evropa e integruar në vetevete ?” Si mundet të integrohen vende të reja në një organizëm që nuk është akoma i integruar tërësisht brënda vetes?

Kjo qasje as që e justifikon fare qeverinë shqiptare për paaftësinë dhe padëshirën për të bërë minimumin e krijimit të frymës politike kombëtare të integrimit, pa kriza administrimi, imazhi dhe skandalesh korrupsioni e kriminaliteti. Ne, duam të kuptojmë pse BE pas premtimesh për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, tani ndodhet në një kolaps politik dhe identitar duke vënë në dyshim të ardhmen e saj dhe mënyrën se si ky organizëm po e koncepton veten dhe rolin e vet. Për hir të së vërtetës, politika e Bashkimit Evropian ka qene e tërhequr nga dy kahje të ndryshme. I pari ka qenë krahu që tërhiqte drejt zgjerimit dhe krahu tjetër ka qenë ai i cili tërhiqte drejt identiteve nacionale dhe politikave nacionale të shteteve anëtare. Deri më tani, partitë me politikat e tyre pro zgjerimit kanë qene dominante ne BE, por vitet e fundit me shfaqjen dhe rritjen e ndikimit të partive të djathta me bazë nacionale, drejtimi i kundërt me zgjerimin, ka qenë edhe politika e fundit e vendeve që përbëjnë boshtin e BE-së si Franca dhe deri diku Gjermania.

Kishte disa vite që proçesi i zgjerimit të BE-së kishte kaluar nga faza e natyrshme e saj në fazën e sforcimit. Në një sforcim që buroi nga dëshira për të konsumuar më shumë se sa kapaciteti prodhues politik i Brukselit. Kjo, bëri që vitet e fundit Bashkimi Evropian t’i ngjajë asaj tullumbaces së fryrë fort e cila ka dy rrugë, ose të fryhet (zgjerohet) deri në pëlcitje, ose të shfryhet deri në rrudhosje. Fakti që kriza e fundit ka filluar aty ku nisi, pikërisht me Gjermaninë dhe Francën si dy promotoret e marrëveshjes së viteve ’50 për qymyrin dhe çelikun, dhe tani me mosmarrëveshjet e tyre për zgjerimin, shtuar edhe fenomenin e Brexit, të bën të mendosh se tullumbacja evropiane ka më shumë gjasa të shkojë drejt shfryrjes se sa pëlcitjes.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se vende si Shqipëria dhe të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë vende të vogla dhe të paafta të prodhojnë demokraci burimore dhe standarte. Janë vende ku fisi, të fortët dhe grupët kriminale, përcaktojnë natyrën dhe mënyrën e pushteteve. Duke qenë kështu, këto vende janë vende me sistem parapolitik, pra më primitive se një sistem i konsoliduar politik dhe demokratik i standarteve të larta. Si të tilla, pra parapolitike, vendet e rajonit e kanë të domosdoshme një ombrellë apo një faktor të fuqishëm përcaktues që t’i udhëzojë, t’i monitororë e në fund edhe t’i detyrojë ata që të dalin nga parapolitika drejt politikës dhe standarteve. Pikërisht, roli i BE-së në këtë pikëpamje, ka qenë roli më i rëndësishëm i cili do të nxirrte vendin tonë nga parapolitika edhe kundrejt dëshirës së establishmentit politik që e ka mbajtur peng këtë vend prej tre dekadash. Zhvlerësimi i këtij faktori, do të zhvlerësonte çdo përpjekje për të dalë nga parapolitka dhe do e kthente vendin tonë në batakun e primitivizmit provincial. Ndërsa në marrëdhëniet rajonale ballkanike, do avullonte çdo iniciativë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe do ta kthente rajonin të pamotivuar pa një pikësynim, të prirur drejt plagëve të së shkuarës.

Ne, kohët e fundit, në sajë të zhvillimeve të fundit integruese, po kalonim nga faza e konsiderimit te BE-së si mit, në fazën e konsiderimit të saj si realitet. “Jo”-ja franceze, rrezikon ta zhbëjë këtë realitet dhe ta riktheje jo tashmë në mit, por në një strofkull skeptizimi dhe pesimizmi degradues. Kjo, ndodh në një kohë kur boshtet e mëdha civilizuese përplasen në Ballkan për dominim. Boshti kryesor euro-atlantik si përfaqësuesi i fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake të kohës, ka qenë prej kohësh faktori kryesor në këtë rajon. Qasja politike e këtij boshti bëhëj përmes zërit të Brukselit duke përdorur narrativën e integrimit si projektin politik të së ardhmes të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ky projekt, u shndërrua në thelbin e gjallimit politik të rajonit nga i cili u përcaktuan të gjitha reformat në fushat e politikës, ekonomisë, drejtësisë dhe deri në krijimin e një kulture të integrimit e cila ngjasoi pothuaj me një religjion të ri i cili duhej ndjekur, respektuar dhe pse jo edhe adhuruar deri diku.

Shqipëria ndodhet në një zonë ku aktualisht tre boshte civilizuese takohen në të njëtin rajon: aksi euroatlantik tashmë i rrënjosur si realitet politik, ekonomik dhe deri diku kulturor (Ballkanin Perëndimor); aksi rus si realitet historik kulturor dhe së fundmi edhe ekonomiko-ushtarak (Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Greqi); aksi me qendër Turqinë si realitet historik e kulturor dhe së fundmi edhe ekonomik (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), Serbia, Mali i zi, Maqedonia tërhiqen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga aksi euroatlantik; por tërhiqen kulturalisht e ushtarakisht, e deri diku ekonomikisht edhe nga aksi rus; ndërsa joshen ekonomikisht dhe kulturalisht (gjysma e Maqedonise) nga aksi turk. Shqipëria, Kosova dhe gjysma e Maqedonisë, tërhiqen politikisht, ekonomikisht ushtarakisht nga aksi euroatlantik, tërhiqen ekonomikisht, kulturalisht dhe pjesërisht politikisht nga aksi turk, dhe joshen nga aksi rus. Pra, të qenurit satelit i një boshti është problematik se je gjithmonë nën presionin forcës shtytëse dalëse e cila është në drejtim të kundërt me qendrën. Ndërsa të jesh satelit i tre boshteve njëkohësisht të bën të jesh “vend i shqyer” nga të gjitha pikëpamjet. Çfarë do të ndodhë së afërmi kur forca gravitacionale e tre boshteve është shtuar së tepërmi?  Shqipëria nëse nuk shton peshën e vet specifike të rëndesës si faktor gjithshqiptar politik dhe ekonomik, rrezikon të hidhet tej si leckë e shqyer?
Urojmë që projekti i integrimit evropian të Shqipërsië dhe shqiptarëve të vazhdojë. Por, sjellja e Francës duhet të shkundë të gjitha elitat politike dhe kulturore të vendit për të menduar përtej asaj që askush nuk guxonte të mendonte, për planin B. Nëse fatkeqësisht një gjë e tillë do të duhej të ndodhte askush nuk di të thotë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria në terma politkë. Cila duhet të jeta sjellja e saj ? Pra, në këtë situatë të gjitha vendet e rajonit, në një farë mënyrë, ngrenë të njëjtën pyetje lidhur me atë se si duhet të sillen tani kur balanca e boshteve po lëkundet dhe ku të parët që flutrojnë jashtë forcës gravitacionale të tyre janë vendet e vogla.

Sot, është koha më shumë se asnjëherë tjetër që politikanët t’u thonë të vërtetën njerëzve. Ata duhet të pranojnë se dështuan t’u sigurojnë të gjithëve ëndrrën e shumëpritur. Kjo qeveri i vuri kapakun gjithë kësaj historie. Në këto kohëra,  shprehja  “Çmë duhet mua cfarë bëj unë!” duhet çinstaluar nga memoria e secilit. Këto janë kohëra të cilat thërrasin për një angazhim real për të rritur peshën specifike të vendit tënd dhe për të ulur sa më shumë koeficientin e të qënurit satelit bosh. Angazhimi real vjen nëse ndërtohet një vetpërceptim i duhur për veten. Kjo vjen nga ndërtimi i një mendimi të unifikuar pozitiv për vetveten. Nëse arrihet kjo, ajo çon drejt një mendimi të unifikuar pozitiv për ne si shqiptar. Në të gjitha këto, elementi i përbashkët është tradita. Tradita dhe kultura jonë  i vetmi element i qëndrueshëm gjatë gjithë kësaj kohe. Kapja pas kësaj ndjell stabilitet. Tradita nuk u asimilua as nga komunzimi, as nga modernizmi. Duhet ta rizbulojmë Shqipërinë. Ta konsiderojmë të vendit tonë jo tashmë si vend tranziti drejt një destinacioni tjeter ekonomik, arsimor apo edhe kulturor, por si burim i këtyre tre elementëve.Ta transfomojmë nacionalizmin  tonë fotbollistik drejt atdhedashurisë si flamur në zemër dhe jo në shkallët e stadiumeve apo kofanot e makinave sa herë ka ndeshje. Duhet një vetvlerësim realist dhe i ndershëm për mundësitë tona drejt një bashkimi kombëtar duke rritur kapacitetin tonë demografik, ekonomik, politik dhe atë të mbrojtjes. Kështu, rrisim peshën tone si shqiptar në rajon, dhe rëndesa jonë e bën më të vështirë të qenurit satelit i vogël por edhe krijon më shumë qëndrueshmëri.