Plagosja në Allias, bashkëshortët u përleshën me grabitësit

Çifti Laze që mbeti i plagosur gjatë tentativës së grabitjes në vilën e tyre nga persona të paidentifikuar, ka dalë nga gjendja e rrezikut. Petrit dhe Afërdita Laze u qëlluan me armë nga grabitësit që hynë në shtëpinë e tyre mbrëmjen e së dielës në zonën e Alliasit në kryeqytet.

Autorët u futën në furrën e bukës së çiftit Laze që ndodhet në të njëjtin objekt ku familja jeton, dhe tentuan të merrnin paratë që ishin mbledhur gjatë ditës. Në dëshminë dhënë hetuesve, gruaja ka thënë se i pikasën grabitësit dhe u përleshën me ta. Më pas, autorët qëlluan me armë drejt Petrit dhe Afërdita Lazes, duke i lënë të plagosur.

Nga hetimet e deritanishme të policisë, nuk ka ende asnjë shenjë të autorëve. Dyshohet se ata kanë qenë persona të njohur të familjes, pasi kanë patur dijeni për shumën e parave. Uniformat blu do të analizojnë kamerat e sigurisë së biznesit dhe banesës në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar autorët.