Përjashtimi i deputetëve nga Grupi Parlamentar, Berisha: Alibeaj mjeran i keqpërdorur nga Rama. Gjykata ka vendosur për PD

Kryetari i PD, Sali Berisha e quajti Enkelejd Alibeajn mjeran të keqpërdorur nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Duke folur për çështjen e statutit të PD, Berisha tha në “Çim Peka Live” se gjykata ka vendosur për PD dhe ai vendim duhet të regjistrohet në regjistrin e partive politike.

Peka: Të kthehemi pak tek zhvillimet që priten brenda PD. Në kampin tjetër, përveç luftës së brendshme të pashpallur e cila kush kupton dhe merret me politikë, e dinë që po ndodh, por aftësia e të majtëve për ta bunkerizuar problemi është e pashoqe. Ata vazhdojnë ta mbajnë të mbyllur çdo problem që kanë. Ndërkohë siç e thatë në fillim, kjo parti është e shqyer për aspektin e transparencës. Gjithçka po ndodh, këtu merret vesh.

Berisha: Gjëja më e mirë…

Peka: Gjëja më e mirë, por sa dëm i bën në prag të zgjedhjeve kjo opozitë …

Berisha: Kjo është shumë e dobishme. Çfarë tregon kjo. Kjo tregon se kjo parti nuk ka asgjë për të fshehur për elektoratin shqiptar. Çfarë tregon kjo? Ka një, dy apo tre persona që shkelmojnë mbi veten e tyre, dhe bëjnë lojën e Edi Ramës. Janë në funksion të Edi Ramës për të asgjësuar PD-në, kaq tregon. Ata nuk përfaqësojnë asgjë përveç interesave të Edi Ramës dhe të tyre. E këtë e ka marrë vesh çdo njeri.

Peka: A ka vlerë ligjore vendimi, ai nuk është vendim, por njoftimi i Alibeajt për deputetët…

Berisha: Zero vlerë. Shiko, gjykata e këtij vendi ka vendosur për Kuvendin e 11 dhjetorit. Në botë nuk ka vend që ai vendim nuk rregjistrohet në regjistër përveç se në Tiranë me urdhër të Edi Ramës. Ai është vendim përfundimtar dhe regjistrohet automatikisht në regjistër. Ai është ligjit që kur shoqëritë kanë vendosur që shoqatat dhe partitë ti regjistrojnë në gjykatë, të jenë të lira dhe jo nëpër ministrira. Ky është dallim mes vendeve të lira dhe jodemokratike. Në vendet jodemokratike, regjistrohen në ministri e jo në gjykatë, kurse në vendet e lira shoqatat dhe partitë regjistrohen në gjykatë. Kaq është kjo. Gjithçka është në shkelje të çdo ligji, rregulli është një përpjekje e Ramës për të asgjësuar PD dhe pluralizmin. Është një armik i egër i kësaj partie dhe pluralizmit. Jo zotëri, gjykata ka vendosur, ai vendim kurrë nuk mund të ndalohet për t’u regjistruar.

Peka: Disa deputetë duket se kanë marrë një iniciativë për të bashkuar grupin parlamentar të PD dhe mesa di unë kanë propozuar emrin e Ervin Salianjit dhe po mbledhin firma për të. A e pranon Sali Berisha.

Berisha: Sali Berisha do të pranojë atë që pranojnë deputetët e PD-së.

Peka: Në argumentin e Alibeajt që qartësisht është nën urdhrat e Ballës, pasi këtë vendim e kishte lajmëruar ai që paradite me gazetarët. Në argument Alibeaj thotë se këta deputetë nuk kërkuan pjesë, por firma dhe gadishmëria e tyre për të pranuar si kryetar Salianjin a është një farë forme edhe ndjesë për ngjarjet e janarit të vitit të kaluar?

Berisha: Nuk ka asnjë lidhje me janarin e vitit të kaluar. Alibeaj është një mjeran i keqpërdorur deri në palcë nga Rama dhe e dirigjon në mënyrën më të neveritshme në çdo seancë, Taulant Balla. Kaq. Nuk ja vlen të flasim për këtë. Ai është përdorur prej tyre në çdo rast.

Peka: Problemi është se duke ja pamundësuar opozitës të bërin opozitë në parlament nëpërmjet të bllokimit të grupit nga Alibeaj dhe duke tentuar të pamundësojë në një farë forme, regjistrimin në zgjedhje të opozitës. Çfarë do të bëni me këtë?

Berisha: Opozita është në përballje me Edi Ramën. Alibeaj është një mjeran që keq shfrytëzohet prej tij. Ne e kemi problemin me Edi Ramën jo me njeri tjetër.