Perceptimi i sigurisë, zbuloni si renditet Shqipëria në indeksin botëror

Vitet e fundit bota u karakterizua nga pasiguri në rritje, nisur nga pandemia, Lufta në Ukrainë, tërmetet etj.

Në qendër të këtij ndryshimi ka qenë pandemia COVID-19, e cila ndikoi negativisht funksionimin e institucioneve sociale, si dhe modelet e sjelljes individuale dhe kolektive në mënyra të panumërta. Studime të shumta kanë treguar se pandemia ka sjellë rritje të niveleve të frikës dhe ankthit në grupe, por jo vetëm kaq.

Një studim i fundit botëror nënvizon se, Shqipëria renditet e 40-a, nga 121 shtete të marra në konsideratë, sa i përket perceptimeve të njerëzve për sigurinë që lidhen me varfërinë, punën, ushqimin, dhunën e krimin dhe shëndetin mendor.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria kryeson listën me perceptimin për risk më të ulët, ndërsa vende si Maqedonia e Veriut renditen e 62, Bosnja e Hercegovina e 64.

Indeksi i Perceptimit të Sigurisë së Fondacionit Lloyd’s Register (SPI) ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të shqetësimeve dhe përvojave të rrezikut në 121 vende. Indeksi është prodhuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP).

SPI mat dy tema, shqetësimin për dëmin dhe përvojën e fundit të dëmtimit serioz, duke i analizuar ato në pesë fusha: ushqimi dhe uji, krimi i dhunshëm, moti i rëndë, shëndeti mendor dhe siguria në vendin e punës. Këto tema dhe fusha janë të kombinuara në një rezultat të përbërë që pasqyron perceptimet e sigurisë sipas vendit dhe rajonit.

Raporti analizon dy përsëritje të Sondazhit të Riskut Botëror, i pari i kryer në 2019 dhe i dyti i kryer në 2021; duke ofruar komente, tendenca dhe njohuri për këto dy grupe të dhënash. Një nga veçoritë përcaktuese të hulumtimit është se një anketë është administruar para fillimit të COVID-19 dhe tjetri është administruar më pas, duke lejuar një analizë të efekteve të pandemisë në perceptimet e rrezikut.

Ky raport do të jetë i dobishëm në dekadat e ardhshme, pasi do të japë një pasqyrë të ndryshimeve të mundshme në perceptimet e rrezikut për çdo pandemi të ardhshme që mund të ndodhë./D.Hyka