PËR VLERAT E PASHLYESHME…

Trishtimet janë pjesë e ekzistencës së qenies njerëzore dhe të jetës në përgjithësi…
Dhimbjet shumë herë bëhen të papërballueshme dhe të duket sikur të sfidojnë…
Humbjet e debolojnë trurin dhe shpirtin e njeriut kur vijnë therrëse dhe shpotitëse…

Humbja e një intelektuali, humbja e një dijetari, humbja e një personaliteti të vizioneve dhe diapazoneve trasnformuese është edhe humbja e një shoqërie, jo vetëm e një familjeje…
Shkodra është njohur përherë si djepi i kulturës dhe i traditës shqiptare, si qyteti ku kultivohen përherë intelektualë të rinj, të cilët lëshojnë rrënjë të thella, që natyrshëm me kalimin e kohës forcohen duke u kthyer në të patjetërsueshme dhe të pathyeshme…
Kur kjo kulturë dhe ky art, kur kjo traditë dhe këto vlera të patjetërsueshme skaliten nga mjeshtra të mëdhnj që rrënjosën me mish e me shpirt tek sa e sa breza dashurinë e zjarrtë ndaj këtyre vlerave atëherë edhe themelet e një shoqërie të emancipuar mbeten të hekurta dhe epokale.
Sot humbën pikërisht një mjeshtër të këtillë, simbolin e patjetërsueshëm të këtyre vlerave, dirigjentin e palodhur z Kujtim Alinë.

Sa herë që bashkëbisedoje me të e kuptoje menjëherë se kishe të bëje me një specialist të fushës, me një figurë që s’ishte thjesht se kishte përvojë, përkundrazi përvojën dhe eksperiencën e kishte gërshetuar vazhdimisht me dijen e saktë dhe të duhur, me vizionet dhe këndvështrimet më të spikatura duke nxjerrë në pah koncepte të qarta dhe vlera historike.
Sa herë që bashkëbisedoje me të e kuptoje se çelësi i shumë arritjeve të tij ishte padyshim “komunikimi” intelektual dhe njerëzor që e karakterizonte, pasi ishte tejet i mprehtë dhe i qartë në çdo mendim dhe diskutim me qëllimin e artë për të hedhur hapa sa më të sigurtë…
Sa herë që bashkëbisedoje me të e kuptoje se në thelbin e tij qëndronte një pasion dhe një dëshirë e pakufijshme gërshetuar me një përkushtim tejet admirues për të arritur me çdo kusht objektivin që i kishte vënë vetes…

Sot humbën intelektualin e mirëfilltë, personalitetin që i dha aq shumë Shkodrës, Shqipërisë dhe tërë trevave shqiptare, autoritetin me bindje të forta dhe vullnet të paepur…
Sot humbën mjeshtrin e madh z Kujtim Alinë…

Natyrshëm që çdokush e kujton në spektrin e vet, çdokush e kujton në fushën ku veproi dhe u përkushtua me aq zell dhe pasion…
Çdokush që e ka njohur nga afër apo edhe nga larg mbart kujtime të pashlyeshme pasi çdokush kishte se ç’të përfitonte nga ky personalitet sa i thjeshtë po aq edhe intelektual shumëdimensional…

Padyshim që çdo vit mbartte ngjyrat e ylberit sa herë që niste festivali mbarëkombëtar i fëmijëve, pasi në të ishte dora e mjeshtrit që nuk reshtte të nxirrte dhe të kultivonte sa e sa talente të brezave të rinj!…
Ashtu sikurse ka edhe sekuenca tejet domethënëse që vlen përherë të risillen në kujtesën dhe memorien njerëzore, kur bëhet fjalë për përkushtimin dhe forcën intelektuale të mjeshtrit të madh…
Ishte viti 96’
Koha e Bajramit të Madh.
Një koncert madhështor në Teatrin Migjeni të qytetit të Shkodrës do të mblidhte sa e sa artistë të Shkodrës, Shqipërisë e trevave shqiptare, kuptohet nën drejtimin e mjeshtrit Alija në organizimin e festimit të festës madhështore të Bajramit të Madh. Emocione të pashlyeshme do ti dhuronte publikut të gjerë, që natyrshëm s’ngelej i kufizuar vetëm me Shkodrën, përkundrazi gjithëpërfshirës dhe ishte pikërisht mjeshtër Kujtim Alija që me përkushtimin dhe dinamizmin e tij skaliti në memorien e çdo individi vlerat e larta që përcillte e bukura dhe e shenjta.

Të tilla mbresa dhe kujtime të pashlyeshme jemi mëse të bindur ka çdonjëri që e njohu nga afër këtë personalitet shumëdimensional,
Prandaj le t’i sjellim të tilla kujtime, të tilla emocione, që çdo brez i ri, çdo moshë e re të kuptojë më së miri se përse kjo Shkodër e jona, përse ky qytet ka qenë dhe mbetet vatër e dijes dhe e kulturës, se përse të tillë intelektualë duhen vlerësuar dhe mbi të gjitha duhen kuptuar qartë dhe mirë…

Le t’u tregohet brezave të rinj përse të tillë individë ditën mjaft mirë të ishin edhe të thjeshtë dhe modestë, por edhe individë të mendjeve të ndritura që e merituan plotësisht të ishin dhe të njiheshin si intelektualë…
Intelektualiteti i këtyre figurave mbartte në thelb njeriun e
Shijes së bukur dhe fine,
Dijes së saktë dhe koherente,
Aspiratës për të çuar në vendin e duhur amanetin që kishte marrë përsipër,
Forcës dhe bindjes së patundur për të mos njohur asnjë “orar” në realizimin e “detyrave” që i kishte vënë vetes,
Dashamirësisë dhe respektit ndaj vlerave që mbart në shpirt shoqëria e kohës,

Mjeshtri i madh Kujtim Alija arriti me plot dinjitet të rrënjoste në shpirtin dhe mendjen e secilit prej nesh vlerat e së bukurës, vlerat e asaj që njeriut i fal përherë kënaqësi, vlerat e asaj që jehon bujshëm dhe përcillet në çdo vatër të dijes, vatër të kulturës, vatër të traditës…

E nëse secili prej nesh do të ofrojë një të tillë përkushtim, dinamizëm, diapazon, horizont, e nëse secili prej nesh do t’i përvishet punës dhe detyrës që merr përsipër të realizojë me një të tillë përgjegjësi atëherë të tilla vlera do mbeten përherë të gjalla në përditshmërinë tonë e kështu shoqëria jonë do të mbetet dhe do të kujtohet përherë si shoqëri e emancipuar e vlerave më të larta njerëzore…
Mirënjohje për mjeshtrin Kujtim Alija!…
Qofsh i Xhenetit!…