Pas 20 vitesh në Kopshtin Zoologjik të Shkupit lindën tre luanë të bardhë

Kohën e fundit vëmendje të madhe tërhoqi Kopshti Zoologjik i Shkupit, ku pas njëzet vjetësh lindën luanë të bardhë, falë luaneshës Bella, e cila lindi tre këlyshë.

Aleksandar Maxhovski, kujdestar i kopshtit zoologjik, për Anadolu Agency (AA) rrëfeu për emocionin dhe sfidën që ai dhe kolegët e tij përjetuan këtë vit më 7 mars, kur papritmas filloi lindja e luaneshës Bella.

“I porsalinduri i parë ka lindur jashtë, më 7 mars. Moti ishte ende i ftohtë, kishte mbetje bore. Me reagimin tonë arritëm ta ndajmë Bellën nga i vogli, ta ri-animojmë, ta transferonim në një dhomë të sigurt që i ishte përgatitur më parë dhe ajo lindi dy luanët e tjerë në atë dhomë”, tha Maxhovski.

– Zgjimi i instinktit të nënës tek luanesha Bella

Maxhovski arriti të fitojë besimin e nënë luaneshës, andaj kujdeset çdo ditë për të dhe këlyshët e saj. Ai thotë se janë duke bërë përparim të madh, e meqë kohëve të fundit kanë filluar t’u rriten dhëmbët, tani përveç qumështit të gjirit hanë edhe mish.

“Super luaneshë, ajo është super nënë dhe kujdeset mirë për të vegjlit. Na lejon t’u afrohemi. Sigurisht edhe ata tashmë janë kureshtarë, na afrohen. Por gjithsesi ajo ka pak rezerva, njëfarë instikti nëne”, tha Maxhovski.

Drejtori i Kopshtit Zoologjik të Shkupit, Kristijan Stamenov, theksoi se nëna Bella dhe babai Çaka kanë ekzemplarë të bukur të specieve të rralla të luanëve të bardhë, të cilët aktualisht jetojnë në mjedise të veçanta për shkak të kujdesit të nevojshëm veterinar që duhet t’i ofrohet nënës dhe luanëve të vegjël.

– “Baby Boom’ në kopshtin zoologjik të Shkupit

Stamenov tha se është veçanërisht i lumtur që numri i kafshëve në kopshtin zoologjik në periudhën e fundit është rritur ndjeshëm.

“Periudhën e fundit ishim dëshmitarë të një ‘baby boom’ të vërtetë në kopshtin zoologjik, filluam me luanët e vegjël, vazhduam me shumë të tjera si patosi, lemurët, lamitë e vegjël, hardhucat. Tërheqja e vërtetë është deveja e vogël, për herë të parë nga lloji i deveve me të pasme të dyfishta”, tha Stamenov.

Luanët e vegjël i kërkonin vizitorët, por ata dhe babain Çaka do të duhet t’i presin deri në fund të majit për t’i takuar, kur ekipi veterinar të vendosë se janë gati të shoqërohen me botën e jashtme.