“Partneriteti mes Turqisë dhe Holandës është jashtëzakonisht i rëndësishëm”

"Sigurisht mund të kemi mendime të ndryshme, por unë besoj se partneriteti ynë është jashtëzakonisht i rëndësishëm", tha ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok

Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, tha se mund të ketë mendime të ndryshme me Turqinë, por që beson se partneriteti mes dy vendeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nën kryesimin e ministrit Blok dhe ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, u zhvillua online Takimi i 8-të i Konferencës Turqi-Holandë (Wittenburg).

Gjatë fjalës në këtë takim, ministri Blok bëri të ditur se në takimin e mbajtur online për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) do të diskutojnë shumë çështje, kryesisht interesat reciproke, inovacionin, sigurinë dhe çështjet rajonale. Po ashtu Blok theksoi se në kuadër të takimit do të kërkojnë mënyrat për të punuar së bashku.

Blok theksoi se mes Holandës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes në kuadër te NATO-s.

“Sigurisht mund të kemi mendime të ndryshme, por unë besoj se partneriteti ynë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Blok.

Partneriteti mes Holandës dhe Turqisë bazohet në shumë vite të mëparshme tha Blok dhe nënvizoi se mes dy vendeve ka çështje bashkëpunimi jashtëzakonisht të rëndësishme në shumë fusha.