Partizani triumfon me “poker” dhe mban kreun, Vllaznia kalon me sukses Bylisin

Ashtu si në Shkodër, Partizani tregon karakter edhe njëherë tjetër në një ndeshje transferte. Kësaj here të kuqtë fituan 1-4 në Durrës përballë Teutës, duke mbajtur kreun e renditjes në mbyllje të fazës së parë.

Kryeqytetasit e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar që në minutën e dytë me Hotin, që nuk fal me të djathtën. Megjithatë, Gruda në minutën e 16-të barazon sfidën. Partizani nuk stepet dhe në të 22-n kalon sërish në avantazh me anë të Da Silvës.

Të kuqtë marrin zemër dhe në minutën e 34-t realizojnë edhe golin e tretë. Është sërish Hoti që ndëshkon durrsakët me të djathtën e tij. Pjesa e parë përfundoi 1-3. Në të dytën do të ishte Skuka që do të vriste ndeshjen në minutën e 75-të.

Në ndeshjen tjetër të së premtes, Vllaznia fitoi 2-1 përballë Bylisit. Tri pikë me shumë vlera për shkodranët që e mbyllin fazën e parë në vendet e para. Golin e parë për kuqeblutë e shënoi Herald Marku në minutën e 39-të, ndërsa në të dytën dyfishoi Jonuzi. Ballshiotët ngushtuan në 83’ me Kaçorrin, por pa qenë në gjendje më shumë.