Parlamenti Europian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.